Rajoni / Raporti i KE: Dështimi në përballjen me të kaluarën rrezikon paqen në Ballkan

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Këshilli i Evropës publikoi të enjten një raport sipas të cilit dështimi në përballjen me krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90, po rrezikon paqen në rajon.

Raporti thekson se kur kanë kaluar thuajse tri dekada nga përfundimi i luftërave që copëtuan rajonin e ish-Jugosllavisë, pajtimi mbetet i paarritshëm.

“Ka hapa pas në proceset e përballjes me të shkuarën dhe kjo përkon me rënien në shkallë më të gjerë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në disa vende të rajonit”, thuhet në raport.

Llogaridhënia për krimet e luftës është larg të qenit e plotë, thekson raporti, “ndonëse në rajon ka pasur përpjekje të shumëfishta për të siguruar llogaridhënien penale, përfshirë një gjykatë plotësisht ndërkombëtare për krimet, gjykime të brendshme për krimet e luftës si dhe mekanizma të ndërkombëtarizuar ose hibridë të llogaridhënies”.

Përpjekjet për llogaridhënie mbi krimet e luftës, siç thekson raporti, po dëmtohen nga “klima e aktuale e mohimit të krimeve të luftës dhe e glorifikimit të kriminelëve të luftës”, si dhe nga mungesa e bashkëpunimit gjyqësor mes disa prej vendeve, përfshirë refuzimet e vazhdueshme nga këto shtete për të ekstraduar shtetasit e tyre, të cilët vazhdojne të gëzojnë pandëshkueshmëri.

“Ka një prirje alarmante drejt diskursit etno-nacionalist, mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, çka dobëson përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën. Është shqetësuese që praktika të tilla pranohen dhe ndiqen në mënyrë aktive nga politikanë në nivelet më të larta të politikës dhe që kthehen në strategji për të mbledhur vota dhe për të qëndruar në pushtet”, thuhet në raport, ku ndër të tjera nënvizohet se grupet nacionaliste të ekstremit të djathtë “kontribuojnë në këtë diskurs, duke gëzuar mbështetjen nga lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare që i bënë ato faktor serioz rreziku për të minuar përpjekjet për të parandaluar përsëritjen e dhunës”.

Në raport thuhet se duke parë kontekstin e paqëndrueshëm në rajon, është i nevojshëm kriminalizimi i mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si një formë e rëndë e gjuhës së urrejtjes.

Sipas raportit, ndonëse ka pasur një përparim të ngadaltë për njohjen e nevojave të të mbijetuarve të përdhunimit, nëpërmjet përfshirjes së tyre si viktima civile të luftës në disa legjislacione kombëtare, frika nga stigmatizimi dhe kriteret përjashtuese vazhdojnë t’ua vështirësojnë atyre marrjen e kompensimit.

Lexo edhe :  Ikën Lajçak, Peter Sorensen konfirmohet si i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi

“Kërkimi i reparacioneve nëpërmjet gjykatave civile apo penale është proces i gjatë dhe i kushtueshëm dhe i ekspozon viktimat ndaj rrezikut të ritraumatizimit. Në përgjithësi, autoritetet kombëtare, përveç kompensimit, i kanë kushtuar pak vëmendje reparacioneve në forma të tjera, si rehabilitimi, satisfaksioni nëpërmjet zbulimit të së vërtetës, ndjesa publike dhe kujtesa, si dhe garancitë për mospërsëritje”, theksohet në raport.

Aty kritikohet procesi i ndiriçimit të fatit të personave të zhdukur, i cili siç thuhet ka shënuar rënie viteve të fundit, ndonëse ende nuk dihet asgjë për fatin e nëntë mijë e 867 personave të zhdukur.

“Është urgjente që këto raste të mbetura të zgjidhen sa më shpejt më qëllim që t’u jepet fund vuajtjeve të familjeve. Koha e gjatë e kaluar dhe mundësia e identifikimeve të gabuara para përdorimit të testit të ADN-së paraqesin pengesa praktike të rëndësishme, ndërkohë që fatkeqësisht mungesa e përkushtimit politik për bashkëpunim të vërtetë rajonal në këtë fushë është kthyer në pengesë të madhe vitet e fundit”, thuhet në raport.

Raporti kërkon reagime të shpejta politike për të shmangur një rikthim të dhunës masive në rajon, duke theksuar se e shkuara krijon përçarje të thella si brenda, ashtu edhe ndërmjet vendeve të rajonit duke i kontirbuar një mjedisi me urrejtje dhe ndasi, çka pasqyrohet edhe në rritjen e gjuhës së urrejtjes, dhunës ndëretnike dhe mungesës së tolerancës.

“Brezat e rinj po rriten në shoqëri të ndara, pa mundësi të vërteta që të ndërveprojnë më anëtarët e grupit tjetër ose po edukohen që ta shohin “tjetrin” si kërcënim. Të dhënat për radikalizimin e të rinjve dhe disa incidente të dhunshme ku përfshihen të rinj përbëjnë shqetësim shumë serioz”, thuhet në raport.

Raporti nënvizon edhe disa mangësi në angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë atë të organizatave ndërqeveritare dhe shteteve te veçanta donatore.

“Zbehja e angazhimit me kalimin e kohës, vendosja e stabilitetit imediat si përparësi përkundrejt përballjes me të shkuarën; mesazhet jokonsekuente dhe qasja e bazuar në projekte afatshkurtra janë disa nga shkaqet, mes shumë të tjerash, që kanë dobësuar ndikimin e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në raport ndërsa theksohet se përballja me të shkuarën me qëllim pajtimin dhe shmangien e konflikteve në të ardhmen kërkon përpjekje të vazhdueshme që duhet të shtrihen përtej një gjenerate. /O.S

Të fundit

“Luftë” me ujë mes Gjestit dhe Jozit, banorët ndjekin njëri-tjetrin në dhomë të gjumin

Një moment argëtues dhe plot humor ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Gjesti dhe Jozi janë zgjuar...

Filmi i Michael Jackson me vlerë 150 mln dollarë, shtyhet për shkak të pengesave ligjore

Filmi biografik për Michael Jackson, ka hasur disa pengesa ligjore dhe është shtyrë për në 3 tetor 2025. Shkaku i vonesës lidhet me skenarin e filmit,...

Hajdutët shpërthejnë derën e muzeut, vjedhin helmetën e artë 2500-vjeçare

Një grup hajdutësh ka kryer një grabitje spektakolare në Muzeun Drents në Assen, Holandë, duke përdorur eksplozivë për të hyrë brenda dhe duke vjedhur...

Gjekmarkaj në Rrëshen: Me PD në pushtet, nuk do ketë pension nën 200 euro

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një takim me pensionistët në Rrëshen. Gjekmarkaj theksoi se pseudobonuset janë...

‘Vdes Lulzim Basha’, ish-kreu i PD reagon ndaj lajmit: I përhapin ata që…

Një lajm i rremë se ka ndërruar jetë kreu u demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha, ka sjellë edhe reagimin e këtij të fundit. Përmes një postimi ditën...

Lajme të tjera

Web TV