Zjarr dhe tym në Parlament, PS përjashton 6 demokratë

Sekretariati i Etikës në Parlament vendosi që të përjashtojë me 10 ditë nga punimet parlamentare 6 deputetë të PD-së që shkaktuan kaos në seancën e fundit. Pavarësisht se kjo formë është ndjekur edhe më parë sërish nuk ka ndaluar incidentet. Parlamenti si “arenë kacafytjesh”.

Prej javësh opozita nuk i ka shpëtuar përjashtimeve nga komisionet parlamentare dhe seanca penare. Kështu, pas zjarrit që i vendosën Kuvendit, Komisioni i Etikës ka vendosur të përjashtojë 6 deputetë për 10 ditë. Në kërkesën e PS për përjashtimin e deputetëve evidenton rolet e secilit deputet. Për Gazment Bardhin nënvizohet se goditi një punonjës Garde, Flamur Noka hodhi flakadan në drejtim të kryeministrit, ndërsa Bledion Nallbati e Flamur Hoxha ndezën zjarrin në sallë.

 Vendimi i Komisionit

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar këtë të mërkurë me 10 ditë nga Kuvendi 4 deputetë të opozitës, Flamur Nokën, Flamur Hoxhën, Bledjon Nallbatin dhe Gazment Bardhin, të cilët ndezën tymuese dhe flakë në seancën e 20 nëntorit ku ishte planifikuar të diskutohej pr/buxheti 2024. Nga ana e Partisë Socialiste, u kërkua përjashtimi për 6 deputetë por Sekretariati i Etikës e ka marrë këtë masë vetëm për katër prej tyre, duke “amnistuar” Albana Vokshin dhe Sorina Kotin në çantat e të cilave u fshehën flakadanët që u futën në Kuvend. Në kërkesën e PS për përjashtimin e deputetëve evidenton rolet e secilit deputet. Për Gazment Bardhin nënvizohet se goditi një punonjës Garde, Flamur Noka hodhi flakadan në drejtim të kryeministrit, ndërsa Bledion Nallbati e Flamur Hoxha ndezën zjarrin në sallë. “Deputeti Bardhi konfliktohet me punonjësit e sigurisë në sallën plenare dhe në një moment ai hedh një karrige në drejtim të tyre duke dëmtuar rëndë njërin prej gardistëve në dorë. Deputeti Noka mban dy flakadanë duke i drejtuar ato drejt Drejtueses së Seancës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Në mbyllje te seancës deputeti Flamur Noka hedh një flakadan të ndezur drejt Kryeministrit”, thuhet në vendim. Për dy deputetët Nallbati e Hoxha në kërkesën e Partisë Socialiste thuhet se përmes flakadanëve të nxjerrë nga cantat e dy kolegeve Sorina Koti e Albana Vokshi, shkaktuan episodin e zjarrit. “Situata agravoi edhe më shumë në momentin kur deputeti Bledion Nallbati nxjerr një kuti të cilës sapo e ndezi mori menjëherë flakë, gjithashtu i ndihmuar edhe nga deputeti Flamur Hoxha këtë kuti e vendosi në tavolinën përpara, duke dëmtuar pajisjen elektronike të votimit dhe rrezikuar që flakët të përhapeshin në sallë. Kjo situatë shkaktoi panik dhe tek vetë deputetët e opozitës”, thuhet në vendim. Por përjashtimet nuk do t’i pengojnë deputetët të marrin pjesë në parlament, pasi seanca e radhës do të mbahet më 7 dhjetor, kur afati 10 ditor ka përfunduar, por 4 deputetët mund të mos lejohen të futen të enjten në ambientet e kryesisë, për mbledhjen e radhës që Bardhi ka njoftuar me deputetët e grupit të tij dhe të Berishës. Seanca e 20 nëntorit u mbyll për 5 minuta pasi pr/buxheti kaloi me parim me 73 votat e PS mes kaosit që grupimi i deputetëve të Berishës dhe të Bardhit krijuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve. Deputetët e Rithemelimit shkuan herët në sallën e seancave plenare dhe përmbysën karriget e tyre pranë foltores, ku ishin rreshtuar punonjësit e gardës. Për herë të parë krahas tymueseve e karrigeve pirg, u pa edhe një vatër zjarri, që solli reagimin edhe të ndërkombëtarëve. Ambasada e SHBA, e Britanisë së Madhe, ajo gjermane, por edhe përfaqësia diplomatike në vendin tonë e Bashkimit Evropian, shprehën shqetësim ndërsa i kërkuan palëve të dialogojnë.

Lexo edhe :  Rama ndan pamje nga kantieri i gjimnazit të ri “Sulejman Elezi” në Laknas

BE: Duhet dialog konstruktiv në Parlament

 Diplomacia ndërkombëtare është e shqetësuar për kaosin e krijuar nga opozita në Kuvend, ku në seancën e fundit u ndez edhe flakë, tymuese e u përmbysën karriget. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se parlamenti funksional është shtyllë qendrore në procesin për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Delegacioni i BE bën thirrje për dialog konstruktiv në interes të qytetarëve. “Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e BE. Edhe ambasada e SHBA dhe e Britanisë së Madhe i bëjnë thirrje palëve politike të ulen në dialog. Për diplomacinë amerikane në vendin tonë, mosfunksionimi normal i Kuvendit, është në dëm të vendit. “Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”, tha ambasada amerikane në një reagim për Zërin e Amerikës. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner ka shprehur shqetësimin për kaosin e krijuar në Kuvend nga Rithemelimi prej disa javësh, duke theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit. Të hënën (20 nëntor), ishte Gazment Bardhi që në një letër drejtuar Kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe trupës diplomatike në vend e quajti miniaturë të Kim Jong Un parlamentin dhe akuzoi se Garda e Republikës ka zaptuar sallën plenare në intimidim të deputetëve të opozitës. Kuvendi miratoi buxhetin e shtetit mes flakëve, në një seancë të shkurtër, pas kaosit që grupimi i deputetëve të Berishës dhe të Bardhit krijuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve./kb