Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme ku dha shpjegime në procesin e “Gërdecit.” Ndër të tjera, ish-ministri deklaroi se atë që ka ndodhur nuk e zhbën dot teksa shtoi se në këto vite që gjykohet çështja, “nuk u është fshehur proceseve, dhe se nuk është larguar nga vendi”.
Po ashtu, Mediu u ankua për një sërë dëshmitarësh që nuk u morën parasysh nga Gjykata duke shtuar se dëshmia e specialistëve dhe shoferëve nuk mund të jetë e dobishme pasi “ata nuk mund të vlerësojnë akuzën për shpërdorim detyre.”
Kreu i PR-së theksoi ndër të tjera se parashkrimi është shkelur dhe bëri thirrje që procesi ndaj tij të jetë i rregullt. Kurse, i pyetur për faksin e Shkëlzen Berishës, Mediu u shpreh se nuk ka qenë në dijeni të tij. “Nuk kam dijeni.
Një ditë më para këtij faksi ka ardhur vendimi i ministrit të Drejtësisë i shprehur në mbështetje të VKM-së. Po të ishte ashtu do të kisha njoftuar unë dhe jo ai. Ministri nuk ka ndikuar. Më gjeni një vetëm që unë të kem dhënë një urdhër.
Çdo rast shkresat ia kam përcjellë strukturave ushtarake e civile nuk kam vepruar asnjëherë në kundërshtim me vendimet e Shtabit të Përgjithshëm”, tha Mediu. Ai u shpreh se mori pjesë në respekt të gjykatës dhe se kishte dëshmitarë që kishin punuar me të, ndërsa bëri thirrje për një proces të ligjshëm dhe të barabartë për palët.
“Unë erdha sot sepse kishte dëshmitarë që kanë punuar me mua dhe kanë ndjekur urdhrat e mi. Dëshmitarët e mëparshëm nuk kanë pasur lidhje me punën e ministrit. Erdha sot në respekt të gjykatës dhe duke shprehur ndjesën time për familjarët për atë që u ndodhi.
Unë nuk e zhbëj dot më atë që ka ndodhur dhe kërkoj ndjesë. Ky proces duhet të jetë i ligjshëm dhe i barabartë për palët. Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm të jetë njoftuar të ketë një problem të vetëm në Gërdec”, tha ai.
Pyetjes se çfarë roli ka pasur Shkëlzen Berisha, Mediu tha: “Nuk ka pasur një faks të tillë nga Ministria e Mbrojtjes. Nuk kam asnjë dijeni, një ditë më parë ka ardhur vendimi i Ministrisë së Drejtësisë kjo çon më tej, u pyetën ata që janë marrë me faksin mund të pyesni zotin Berisha apo Bumçi, nuk kam qenë në dijeni të këtij dokumenti.
Nuk më ndikon asgjë, kjo tregon një mungesë të raportit tim me zotin Berisha. Ishte urdhri për demontimin e municioneve, VKM 617 e qeverisë Nano që janë rrezik për jetën për sigurinë, nuk ka as më shumë as më pak se detyrën të zbatojë vendimin e Këshillit të Ministrave. Urdhrat e ministrit qarkullojnë tre ditë, ka qenë ngjarje të rënda, deri në vitin 2010 duhej të bënim demontimin e municioneve ka mbaruar në vitin 2013.
Nuk ka kërkuar dhe ndikuar nga askush, çdo rast çdo shkresë ia kam përcjellë strukturave më të larta civile, ministri i Mbrojtjes nuk është ushtarak nuk njeh as kalibra, as distanca, Gjykata e Lartë ka deklaruar në rekursin që kemi bërë në vendimin e Apelit që duhet të vlerësojë parashkrimin kur prokuroria ndërton akuzë gjë që nuk ka ndodhur, nëse ka parashkrim, nuk ka proces.
Që një proces të jetë i drejtë duhen të gjitha garancitë. Nuk dua të paragjykoj,vetëm rreth të vërtetave. Duke respektuar çdo vendim të gjyqtares”, tha ai. Me rihapjen e çështjes, Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në punishten ku demontoheshin armët, teksa ai mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes.
Mediu dhe avokatët e tij, që në krye të herës, i kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se posti i tij nuk ishte i lidhur direkt me çështje që mbikëqyrën dhe referohen nga Forcat e Armatosura, dhe se përgjegjësinë e tij politike e ka marrë duke u dorëhequr si ministër.
Ligji për Komisionet Hetimore, PS dorëzon draftin: Respekton ndarjen e pushteteve
E drejta e pakicës parlamentare për të ngritur komisione hetimore është e konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese, por drafti i prezantuar nga socialistët synon të ndryshojë ligjin mbi të cilin bazohet funksionimi i tyre, duke vendosur mes të tjerash edhe disa kushte.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj argumentoi se pr/ligji kërkon të fusë komisionet hetimore brenda kornizës kushtetuese, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve. “Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit, kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese, si më poshtë: Çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit.
Objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete. Duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme, për ekzistencën e çështjes për të cilin kërkohet ngritja e komisionit hetimor”, tha ajo.
Si hartuese e këtyre ndryshimeve, duke u bazuar në ligjin Gjerman, Felaj thotë që Kuvendi nuk do të jetë më super-organi që i mbivendoset institucioneve të tjera. Me arsyetimin se drafti i tyre ofron më shumë garanci për dëshmitarin, socialistët propozojnë që të merret leje nga SPAK apo Gjykata para se dikush të thirret për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, në rastet kur çështja është nën hetim apo gjykim.
Dëshmitarët e thirrur në komisionin hetimor mund të përfaqësohen edhe me një mbrojtës ligjor. Përveç rregullores së Kuvendit, komisionet hetimore funksionojnë bazuar edhe në Kodin e Procedurës Penale, dispozitat e të cilit – sipas Felaj – nuk njihen mirë nga deputetët. Për t’u ardhur në ndihmë, nene të caktuara të Kodit i kanë implementuar në këtë ligj. Gjithashtu mazhoranca mendon se planin e hetimit duhet të bëjë eksperti ligjor që zgjidhet me 2/3 të votave të komisionit.
Konsensusi për të dalë me një draft të përbashkët në fund të diskutimeve duket i largët, por Felaj thotë se do të shqyrtohen edhe draftet e depozituar prej më shumë se një viti nga Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.
Këto ndryshime vijnë në një kohë kur opozita e ka kusht të panegociueshëm krijimin e Komisioneve Hetimore, plot 8 të tilla, duke paralajmëruar se në rast se kjo nuk do të realizohet atëherë nuk do të lejojnë funksionimin normal të Kuvendit.