Nga Edison Ypi
Fundi i oqeaneve të bibliotekave dhe arkivave është plot me perla. Perlat presin peshkatarët të mbajnë frymën, të zhyten, ta gjejnë e ta rrëmbejë guackën me perlë brenda. Perla ka. Po a ka Peshkatarë të zhyten në fund të oqeanit për t’i peshkuar Perlat?
Kushedi sa herë kujdestarët e bibliotekave dhe arkivave e kan harruar Peshkatarin e Perlave gjithë natën brenda ngaqë kur kyçën portën nga jashtë, Peshkatari kishte mbajtur frymën, sapo kishte zbuluar një perlë.
Oqeani metropolitan është i madh, ka zhvillime të gjithllojshme. Por nuk ka thellësitë, sidomos kripërat e duhura, për të prodhuar perla. Ka ndërlikime urbane me miliona. Por sjanë perla të thella, janë dromca, grimca, të cekta.
Prift dhe peshkatar perlash ! Çfarë kombinacioni i hatashëm. Asnjë Univesitet, asnjë Akademi, nuk mund ta arrijë. Dy perla në një guackë ? S’bëhet fjalë. Guacka e perlës s’është veza e pulës me dy të verdha. Për ta gjetur cila nga guackat është me perlë brenda, Peshkatarit të Perlave i duhet me hap mijra guacka. Dhe puna sapo ka filluar. Se perla duhet pastruar nga baltat e kohës. Duhet gdhendur. Duhet vënë në gjerdanin e duhur.
Të zbulosh perla, ja vlen të zhytesh. Por duhet të plotsosh dhe të tjera kushte.
Për shembull, duhet të dish gjuhë të huaja. Vetëm Lapçe dhe Tropojançe nuk mjaftojnë. Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi i disa gjuhëve, prej të cilave ka studiuar me vite gjuhën Kineze në Kinë, aq gjatë sa sytë i janë mimetizuar i janë bërë si sy kinezi, ëndërrat i sheh në nja pesë a gjashtë syresh.
Në 1915 Noli i propozoi ambasadorit italian në Uashington eliminimin e Esat pashës, që ishte kreu i qeverisë në Durrës. Si mundet një prift të rekomandojë vrasjen e dikujt?
Perla që e ndriçon këtë enigmë ekziston. E ka peshkuar Peshkatari i Perlave. Natyrisht jo në cektinat ku ndodhen fjalimet, qëndrimet, deklaratat, që dihen e stërnjihen prej kohësh, por shumë më thellë, n’ato katakombat e errëta.
Noli kurrë nuk ka folur për vizitën e tij në Moskë në vitin 1927 me rastin e 10-vjetorit të revolucionit të tetorit. Në vitin 1920, një personalitet i Vatrës i konfidoi me krenari Faik Konicës në Romë, se vrasja ishte urdhëruar nga Vatra. Faiku u tmerrua.
Falë Peshkatarit të palodhur të Perlave, Ilir Ikonomit, bashkë me plot të tjera, edhe këto fakte tronditëse që prej dhjetra vitesh kanë vrarë gjumin e shqiptarëve nuk janë më mister. I spjegon perla e rradhës e Ilir Ikonomit.
Halli me perlat nuk është vetëm se ato është vështirë t’i peshkosh.
Por te vënia e tyre në kontekst brenda mendjes së lexuesve përmbytur nga klishetë, lidhja e tyre në një histori të vetme, në mënyrë të atillë, që e gjitha të mos dali një përrallë optimiste frymëzuar nga ndonjë kongres partie stërngopur nga inflacion i neveritshëm fjalësh që bëhet krejt i padurueshëm kur nuk ka fakte, dhe del nevoja ta mbushësh librin me fjalë të përgjithshme, me llogje, ç’ka është tmerri dhe fakkeqësia më e madhe për gjithë të interesuarit e Historiografisë.
Me përralla optimiste, inflacion fjalësh, fakte të sajuara, merren Peshkatarët e rraqeve. Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi vepron ndryshe.
Peshkatari i Perlave ka ndërtuar tashmë një gardh, mur, digë, për të penguar përdorimin e çfardo mjeti a mënyre për të bërë libra historikë të sajuar. Falë këtij standadi të ri aplikuar me sukses në librat e tij, zor sot e tutje do ketë faqezinj të guxojnë të shkrujnë libra me përmbajtje historike plot me arna, mballoma, thashetheme, klishera, dëshira, lakmira, synime afatshkurtëra të pushteteve kalimtare.
Tash e tutje jo më thasë me rraqe historiografike të zhgarravitura nga autorë mediokër që duan ta fusin veten me zor në Histori, që edhe mund të ndodhi dikush librin e tyre e lexon, dhe menjeherë e harron, si harrohet rrena që dikush sapo ta tha në kafene. Tash e tutje vetëm si Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi. Vetëm libër thurur me shumë mundim, pasion, vullnet, sakrificë. Vetëm gjerdan me perla. Vetëm kryevepra./kb