Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit/ Berisha: Lutem që mbreti i skenës të gjejë paqe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të artistit të madh, Mirush Kabashi.

Në një status në rrjetet sociale, Berisha shpreh ngushëllime për familjarët dhe miqtë, ndërsa e cilëson Mirush Kabashin si mbretin e skenës.

Kryedemokrati deklaron se aktori shqiptar është i paarritshëm në të gjitha rolet, por veçon “Apologjinë e Sokratit”.

“Dielli perëndoi përgjithmon për Mirush Kabashin, gjeniun e skenës.

Të dashur miq, Mirush Kanashi, Mbreti i skenës dhe filmit mbylli sytë përgjithmon. Arti, skena por dhe kombi sot janë në zi.

Mirush Kabashi hyri në artin shqiptar si një fenomen i cili me aftësitë, talentin e rrallë në interperetimet në filma dhe teatër të mbi 100 personazheve të veprave dhe kryeveprave të autorve shqiptarë e botërorë do bëhej shpejt artisti më i dashur për publikun shqiptar, por dhe shumë i vlerësuar nga ai ndërkombëtar. I paarritshëm në të gjitha rolet, por kulmor dhe i pavdekshëm me “Apologjinë e Sokratit” ai ndahet nga ne dhe niset në përjetësi si Sokrati i ditëve tona.

Mirush Kabashi ishte gjithashtu interpretuesi më i fuqishëm i poezisë. Ai ishte një mbështetës i palëkundur i opozitës dhe demokracisë në Shqipëri.

Duke shprehur mirënjohjen më të pakufijshme për kontributin e tij të rrallë dhe ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, të afërmve, miqve dhe admiruesve të Mjeshtrit të Madh, i lutem Zotit që shpirti e tij të gjej paqen e merituar. Amin! #sb”, thekson Berisha./   S.M