Kërkesa e SPAK, Berisha: Qëllimi është, të goditet opozita

Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për të marrë autorizimin që i lejon organit të drejtësisë ashpërsimin e masës së sigurisë për çështjen “Partizani”, për Sali Berishën është një goditje ndaj opozitës dhe jo ndaj tij.

“Janë përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama. Qëllimi i kësaj është pikërisht kjo një goditje ndaj opozitës, nuk është puna goditje ndaj Sali Berishës kjo. Opozita do i përgjigjet me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, të gjithë valës së represionit kundra saj.”

Edhe pse thotë se do të pranojë vendimin e Kuvendit për kërkesën e SPAK, Berisha paralajmëron kaos në seancat parlamentare.

“Kanë kërkuar përligjjen e aktit të tyre antikushtetues. Ne vazhdojmë mosbindjen civile pavarësisht nga çdo lloj procedure e diktuar nga Edi Rama.”

Theksoi se vendimin për t’u paraqitur në SPAK nuk e zbatojë në mënyrë që të mbronte kushtetutën.

“Ata kërkojnë nga Parlamenti rëndimin e masës sepse unë mbrojta Kushtetutën.”

Së bashku me anëtarin e Kryesisë Belind Këlliçi, Berisha vijoi denoncimet për aferën e inceneratorëve, ku në shënjestër të akuzave ishte kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.

“Vlerat e këtyre impianteve të ndërtuara janë fryrë të paktën me 25.783.80 Euro. Erion Veliaj i ka dhuruar kompanisë së vet 600 mijë metër katrorë tokë në Sharrë. Këtyre janë shtuar këto muajt e fundit edhe 150 mijë metër katrorë të tjera.”

Berisha tha se pavarësisht denoncimeve të PD, SPAK nuk heton Veliaj dhe Ramën për shkak se përdoret prej tyre./O.S