Gjykata Kushtetuese ka pezulluar procedurat për marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Shqipërisë. Kushtetuesja njofton se seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 Janar, në orën 10:00.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13 Dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 Janar 2024, ora 10:00.”, thuhet në vendim./kb