Rama-Meloni “bien” përkohësisht në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampit të refugjatëve afrikanë në Gjadër të Lezhës.

Në një seancë të jashtëzakonshme, institucioni që interpreton Kushtetutën e vendit i kërkoi Parlamentit që të mos kalojë për ratifikim marrëveshjen, deri në momentin ku kjo gjykata ta shqyrtojë çështjen në themel dhe të marrë vendimin përfundimtar.

Për mazhorancën gjithçka ishte bërë gati, ku në ditën e sotme pritej që të kalonte në seancën Parlamentare marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për sjelljen e refugjatëve afrikanë që kapen në Itali.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar deri në shqyrtimin e saj dhe dhënien e vendimit. Kërkesës së grupit të deputetëve të PD-së që mbështesin Berishën për të gjykuar marrëveshjen mes dy vendeve, Gjykata Kushtetuese u përgjigj shumë shpejt për shkak se ajo pritej të ratifikohej në seacën e sotme plenare.

Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se është marrë në shqyrtim padia e bërë nga deputetët e opozitës, kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për refugjatët. Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin.

Ka qenë vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e cila në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi se pezullohen procedurat për këtë marrëveshje ku dhe nënvizoi se seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

Kërkesa e Rithemelimit

Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe  “b”, të Kushtetutës.

Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023.

Lexo edhe :  “Ministrja” virtuale e Shqipërisë flet në Nju Jork, Rama: Diella përfaqëson vendin

Marrëveshja

Marrëveshja e nënshkruar nga Edi Rama dhe Georgia Meloni ka të bëjë me strehimin e emigrantëve në Shqipëri përmes dy qendrave; ajo e pritjes në Shëngjin dhe ajo e akomodimit në Gjadër. Të dyja strukturat do të ngrihen dhe administrohen nga qeveria italiane, e cila do të mbulojë të gjitha shpenzimet.

Kështu emigrantët e shpëtuar në Mesdhe do të ngjiten në bordin e anijeve italiane dhe do të kalojnë filtrin e parë në Shëngjin ku do të tentohet identifikimi dhe më pas do të kryhet verifikimi për gjendjen shëndetësore. Janë parashikuar rrugë të ndryshme kalimi për ata me sëmundje apo ata që do të duhet të qëndrojnë në paraburgim.

Struktura e Gjadrit për emigrantët që do të presin përgjigje për azilin ose ata që nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali dhe që duhet të riatdhesohen do të ketë një sipërfaqe rreth 77 mijë metra katrore.

Aty do të ndërtohen 10 ndërtesa që do të presin maksimumi 3 mijë persona njëkohësisht. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, Italia do të duhet paguajë 16.5 milionë euro ndaj Shqipërisë.

Edhe Qeveria shqiptare e ka miratuar draftin nga ana e saj dhe e ka dërguar në Parlament për t’u miratuar pasi të flasë me një vednim Gjykata Kushtetuese.