Ish-kryeministri Sali Berisha dhe pjesa mbështetëse e Grupit të Rithemelimit, vendosur që të thërrasin protestë të hënën, në ditën kur do mblidhet Këshilli i Mandateve për t’i hequr imunitetitin Berishës dhe lejuar SPAK-un për masën e arrestit. A do të jetë pjesëmarrja e protestuesve treguesi i mbështetjes së liderit të PD-së në elektorat? Grupimi Bardhi djet “abstenimit” të protestës…
Ditën e hënë Këshili i Mandateve do të mblidhet për t’i hequr imunitetin deputetit Sali Berisha, ndërsa ky i fundit nga ana tjetër ka thirrur mbajtjen e një proteste. Edhe pse Berisha ka treguar gadishmëri për të të të dorëzuar imunitetin e tij për tu hetuar, ai nuk do të marrë asnjë hap për të shkuar në këtë komision ku varet fati i tij, por do të dalë në rrugë me mbështetësit e tij kundër qeverisë Rama 3.
Tre ditë më parë është njoftuar mbajtja e Këshillit ndërsa ditën e djeshme është njoftuar edhe mbajtja e protestës që sipas tij do të mbahet ditën e hënë në orën 12:00. Mbledhja e Këshillit të Mandateve do të vendosë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës në mënyrë që të ndryshohet masa e sigurisë, nga ‘detyrim paraqitje’, në ‘arrest shtëpie’.
Gazment Bardhi e ka kundërshtuar më shumë duke argumentuar se kjo protestë do keqinterpretohej dhe do humbte qëllimin e saj, pasi do shihej si mburojë për çështjen Berisha.
“Çdo protestë qytetare në këtë moment do të keqinterpretohet nga opinioni publik dhe se nuk mund të konfondohen betejat e opozitës me akte momentale. Strategjia e opozitës nuk duhet të ndikohet nga ngjarje rastësore”, ka thënë mes të tjerash Bardhi.
Megjithatë tashmë është gjithçka e vendosur që Berisha do të presë të hënën me sytë jo nga Parlamenti, pasi tashmë heqja e imunitetit duket “çështje procedure”, por në numrin e mbështetësve të tij që do të jenë në protestë. Ende nuk ka të dhëna për formën e protestës dhe si do të vijohet më tej kur për Berishën mund të zaktohet masa “arrest shtëpie”, ose “arrest me burg”.
Ish-kryeministri akuzohet bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik”, i dyshuar si i përfshirë në privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku përfitoi edhe Malltezi si një nga bashkëpronarët e atij trualli ku u ndërtuan një kompleks pallatesh dhe njësi shërbimi.
Deputeti i PD Edi Paloka ka folur mbi protestën që pritet të zhvillohet të Hënën nga ana e opozitës. Paloka thotë se kryedemokrati Sali Berisha nuk ka qenë dakord për një aksion të tillë këto ditë, pasi nuk do që të lidhet me emrin e tij. Por sipas Palokës, kjo gjë nuk ka të bëjë me të.
Ai thotë se kryeministri Edi Rama kërkon të kontrollojë edhe mandatet e deputetëve të opozitës, prandaj protestat janë të domosdoshme. “Ka qenë e kundërta, ka qenë zoti Berisha që nuk ka dashur të zhvillohet protesta këto ditë sepse mund të lidhej me emrin e tij personal. Është një thënie e tij që u kundërshtua nga shumica jonë edhe në mbledhjen e grupit, aty nuk bëhet fjalë për Sali Berishën si individ.
E gjithë kjo ka dy vjet që kjo strategji është drejtuar ndaj liderit të opozitës dhe po bëhet çdo lloj ndërmarrje me qëllim që opozitës dhe gjithë të drejtave që janë shkelur, t’i heqin dhe liderin e saj.
Pra, nuk kemi të bëjmë fare me një kërkesë për heqje imuniteti ndaj një deputeti, por me një sulm të organizuar më së miri nga Rama dhe gjithë instrumentat që ai kontrollon, përfshirë këtu SPAK dhe organet e saj. U ra dakord që do ketë protestë edhe të hënën, edhe të enjten”, tha Paloka për “Tv Klan”.
Seanca e djeshme
Thyerje xhamash dhe përplasje fizike me gardën ishte ky skenari i radhës i Rithemelimit për të penguar zhvillimin normal te seancës plenare. Deputetët e përjashtuar për më shumë se një orë e gjysmë, në përpjekje për tu futur në sallë, u përplasën fizikisht me gardën, ndërsa thyen xhamin e derës kryesore të Kuvendit.
Përplasje ka pasur dhe mes deputetëve. Ina Zhupa dhe Elda Hoti që nuk i kanë lejuar të futen në ambientet e brendshme të Kuvendit deputetët e PS, mes tyre dhe ministrja Elisa Spiropali dhe deputetin Etjen Xhafaj.
E në këtë situatë nuk u la të hynte dhe nënkryetari i kuvendit, deputeti Agron Gjekmarkaj, i cili duket që këtë kohë e shfrytëzoi mirë. U ul në shkallët e kuvendit dhe me laptop u frymëzua të shkruajë opionin e radhës.
“Verbëria’. Kaosi i ka lënë vendin efektivëve të policisë të cilët kanë hyrë në Kuvend për të mbledhur prova. Pas çdo seance të kaosit ekspertët e BKH-së dhe të policisë shkojnë në kuvend për të mbledhur prova.
Përjashtimi i deputetëve dhunuesve
Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi në një dalje për mediat pas përfundimit të seancës ka komentuar kaosin e Rithemelimit.
Çuçi tha se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për të përjashtuar me dy muaj deputetët e kaosit janë krejt normale, pasi të ndezësh zjarr e tymuese në Kuvend është vepër penale. Çuçi mori shembullin e Italisë, kur tha se atje deputetët përjashtohen me 15 seanca plenare.
“60 ditë është vetëm kur vendosin zjarr dhe përdorin mjete piroteknike dhe kur ushtrojnë dhunë, apo kur veprimet e tyre përbëjnë vepër penale. Krejt normale, sepse nuk është jo normale, por është vepër penale të ndezësh zjarr në sallën e parlamentit që është një moment shumë solemn. Nëse 23 deputetë të opozitës ndezin zjarr në parlament do përjashtohen padiskutim. Duhej të shihte diskutuar ndryshimi, por kush vjen për ta diskutuar.
Nuk u paraqitën as në këshillin e rregullores. E dini sa është në parlamentin italian, 15 seanca. Pengohen në Itali të ngrenë komisione hetimore? As te ne nuk pengohen, i bëjnë në formën e duhur. S’kemi penguar dhe s’do i pengojmë asnjëherë. Kemi paraqitur një set ndryshimesh në ligjin për komisionet hetimore”, tha Çuçi.
Ndryshimi i rregulloreve
Ka zgjatur vetëm 8 minuta seanca plenare, e cila u mbyll pa diskutime për shkak të kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës. PS ka miratuar me 74 vota pro rregulloren e re për Kuvendin e cila parashikon masa më të forta ndëshkuese për deputetë të cilët krijojnë kaos të Kuvend.Gazment Bardhi ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese miratimin e rregullores së re të Kuvendit. Sipas Bardhit ata nuk do ti binden ndryshimeve të reja të Kuvendit.
“Miratuan ndryshime që bien ndesh me kushtetutën e Shqipërisë. Vendimi i sotëm i pezullimit të mandatit të deputetëve të opozitës do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Ne përveçse do ta çojmë në gjykatën Kushtetuese nuk dot ti bindemi rregullave të tyre. Sa kohë dje në orë të vona të pasdites është pezulluar marrëveshja me Italinë, gjej rastin ta përshëndes këtë vendim të vonuar të GJK dhe gjej rastin të shqyrtojë këtë vendim të paanshëm që bie ndesh me këtë marrëveshje të GJK-së”, tha Bardhi.
Për këto ndryshime, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai shkruan se pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese, është i papranueshëm.
“Ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit të bëra në mënyrë arbitrare dhe përjashtuese synojnë asgjësimin e opozitës dhe parlamentarizmit. Ndaj pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese është i papranueshëm. Vetëm plotësimi i kërkesave të opozitës rikthen normalitetin në Kuvend dhe garanton rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë”, shkruan Meta.