33 vitet politikë të Berishës “shuhen” në 13 sekonda

Me një votim sa për procedurë, që zgjasti 13 sekonda, gjashtë anëtarët e Këshillit të Mandateve, pesë të PS-së dhe Enkelejd Alibeaj i PD-së, votuan pro heqjes së imunitetit të Berishës. Tashmë pritet vetëm formalizimi në Parlament dhe ish-kryeministri rrezikon “arrestin në shtëpi” ose “arrest me burg”. Orët e debatit të zjarrtë dhe përplasja mes avokatëve të Berishës dhe dy prokurorëve të SPAK.

 

Ish-kryeministri Sali Berisha nga dje është në dorën e SPAK-ut dhe pritet vetëm formalizimi këtë të enjte në Parlament, duke mos pas më si mburojë imunitetin. Edhe pse kishte deklaruar më parë se ishte i gatshëm ta dorëzonte imunitetin e tij, Berisha nuk ishte dje në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Mëngjesin e djeshëm u mblodh Këshilli i Mandateve ku në mënyrë unanime u vendos heqja e imunitetit Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat “pro” të mazhorancës të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike. Kështu, Këshilli i Mandateve vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetetit, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë. Pas mbledhjes së djeshme do të mbahet votimi në Kuvend në seancës së enjtes, gjatë së cilës do të mund të shohim edhe sesi do të votojnë demokratët. Ky votim mund t’i hapë rrugën Strukturës së Posaçme për caktimin e një tjetër mase sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha. Për kreun e “Rithemelimit”, SPAK ka kërkuar ndryshim të masës nga “detyrim paraqitjeje” në “arrest në burg”, ose “arrest në “shtëpi.” Më herët gjatë seancës, Enkelejd Alibeaj deklaroi votën e tij “pro”, në emër të Partisë Demokratike, duke argumentuar se ky ka qenë standardi i mbajtur nga të djathtët që në krye të herës. Alibeaj kërkoi po ashtu nga SPAK që të mos “luajë” me standarde të dyfishta dhe të marrë në shqyrtim kallëzimet që janë bërë në emër të Edi Ramës. Enkelejd Alibeaj, në emër të Partisë Demokratike, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të hënën se demokratët janë pro heqjes së mandatit të deputetit Sali Berisha, pas kërkesës së bërë nga SPAK. “Ta konsiderojmë si një shërbim ndaj shqiptarëve sot, edhe në të ardhmen. Zero imunitet për askënd. Mbështetje për SPAK, duke krijuar një presion pozitiv. Duke bërë këtë akt ne sot, krijojmë këtë presion pozitiv ndaj SPAK. Qëndrimi i im personal si përfaqësues i PD, në Këshillin e Mandateve: I rekomandojmë seancës plenare që ta pranojë si kërkesë për heqjen e mandatit.”, tha ai. Alibeaj kërkoi nga kolegët e mazhorancës që të krijohet një standard i unifikuar që në raste të tilla, kërkesat nga drejtësia të aprovohen gjithnjë dhe ligjvënësit të zhvishen nga imuniteti. I njëjti standard, kërkoi ai, të ndiqet edhe me kryeministrin në detyrë. “Ky qëndrim që do të mbajmë ndaj një ish-kryeministri, duhet të mbahet edhe ndaj kryeministrit në detyrë. Ta vendosim edhe SPAK, të mbajë të njëjtin standard, të hapë kërkesat e shumta, kallëzimet e shumta penale që përfshijnë kryeministrin.  Dhe të kërkojë me të njëjtat standarde heqjen e imunitetit.”, tha Alibeaj. Ai solli gjithashtu në vëmendje se Partia Demokratike ka pasur në krye të herës një standard të vetëm, sa herë që drejtësia ka kërkuar heqje të imunitetit për ligjvënës të Parlamentit. “Një standard i cili do duhet të jetë guri i themelit ndaj të cilit nuk duhet të kemi asnjë lloj luhatje, pavarësisht cilit kamp i përkasim.”, tha Alibeaj.

Lexo edhe :  Rama:Lumi Vjosa pjesë e listës së trashëgimisë botërore

Mbrojtja e Berishës

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi pezullimin e Këshillit të Mandateve me argumentin se çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe thotë se mbledhja nuk mund të shqyrtohet deri në daljen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. “Jemi vënë në dijeni të kërkesës që SPAK ka paraqitur pranë jush, me atë objekt që përshkruar. Faktikisht sikurse ne do të provojnë, me provat që ne kemi, në momentin që zhvillohet kjo seancë dëgjimi, në GJK është depozituar kërkesa në datën 14.12.2023, kërkesa e 1/5 të deputetëve drejtuar GJK, me objektin interpretimin përfundimtar të nëntit 73 pika 2, zgjidhjen konflikteve të kompetencave ndërmjet kuvendit, SPAK e GJKKO, sa i takon kufizimit të lirisë së deputetit në çdo formë. E kemi të noterizuar dhe ua paraqesim këtë kërkesë, në cilës të provës që anëtarët të njihen me faktin që është determinuat në lidhje me vendimmarrjen tuaj”, tha Gjokutaj. Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj ka folur për mediat pasi doli nga mbledhja e Këshillit të Mandateve ku po mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të kreut të Rithemelimit. Ai tha se duhet të hiqen edhe masat ekzistuese si “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” ndaj Berishës dhe jo të kërkohet rëndimi i tyre, duke qenë se në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar kërkesa për pezullimin e kërkesës së SPAK. “Ju e ndoqët të gjithë seancën, patë qëndrimet e anëtarëve të Komisionit. Kjo seancë na shërbeu për të denoncuar veprimet e SPAK-ut që do të ndikojnë në një vendimmarrje. Duhet të hiqen edhe ato masa të kundraligjshme që janë marrë dhe jo të ashpërsohen”- tha Gjokutaj.

Arben Kraja, prokurori i SPAK

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Prokurori i SPAK, Arben Kraja mohoi kategorikisht që hetimi dhe kërkesa për arrestimin e deputetit Sali Berisha ka pas motiv politik. “Këtu nuk ka asnjë veprim politik që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që jemi sot dhe nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare. Çdo kërkesë që kemi bërë bazuar në provat që janë mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ua kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri tani. Mund të mos na japë të drejtë deri në fund por jemi të hapur. Ne kemi kompetencë të hetojmë kryesisht funksionarët e lartë shtetërorë. Përsa kohë kemi kompetencë për të hetuar funksionarë të lartë shtetërorë në dukje mund të mos dukemi si të paanshëm. Unë e kam për detyrë  si prokuror kur ka një kallëzim të nis hetimin. Në dukje mund të përdoret nga palët se filloi se e tha ky apo tha ai e nuk mund ti ndalojmë këto fjalë. Unë kam qenë drejtues i këtij institucioni e dini shumë mirë që jamk akuzuar (në dukje) se po punoj për llogari të krahut tjetër. Të jeni të bindur këtu nuk ka asgjë politike. Në jetën time nuk jam marrë kurrë me politikë, as më shkon mendja të merrem me politkë dhe as do të bëhem kurrë politikan”, tha ai./kb