Berisha “ndryshon mendje”, nuk do të njohë vendimin e gjykatës

Pak ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaronte se nëse do i hiqej imuniteti dhe do zbatoheshin procedurat do të njihte çdo vendim gjykate që do të caktohej për të, por dje ka ndryshuar tërësisht mendim. Ai është shprehur se nuk do njohë vendimin e institucioneve të drejtësisë e cila pritet të japë masën “arrest shtëpie”. Refuzimi mund t’i kushtojë burgun, por Berisha duket se ka strategjinë e qartë për të refuzuar çdo vendim të gjyqësorit, për të ngritur kauzën me pretendimin se cështja ndaj tij është politike dhe e ndikuar nga Rama.

 

Ditën e enjte Parlamenti Shqiptar do të votojë heqjen e imunitetit për Sali Berishën. Berisha në kushtet si i përjashtuar nga seanca plenare, por edhe nga komisionet parlamentare do të mbaj një protestë të dytë pranë Parlamentit në shenjë refuzimi të heqjes së imunitetit dhe të kërkesës së SPAK për urdhër arrest. Ish kryeministri Sali Berisha ka ndryshuar qëndrimin e tij. Në konferencën për shtyp këtë të martë, ai deklaroi se nuk do ta njohë vendimin e gjykatës. Berisha përsëriti argumentin se po vendoset në këtë situatë për arsye politike. “PD dhe opozita vendoset për motive kryekëput politike në një situatë në të cilën ndodhet partia opozitare në Mianmar, në Rusi dhe në Teheran. Por, siç rezistojnë opozitarët në Rusi, në Mianmar, në Iran, do rezistojë edhe PD në Shqipëri dhe ajo e tëra do angazhohet në betejën pa kthim për përmbysjen e narkodiktaturës. Për sa i përket qëndrimit tim, unë e kam bërë të qartë se përsëri nuk e njoh vendimin. Sepse ky vendim është një akt i turpshëm, një akt i neveritshëm i komisionit Basha-Brava”, tha Berisha. “Të enjten, Shqipëria do të jetë përpara Parlamentit”, deklaroi kreu i grupit të “Rithemelimit” nga Kryesia e Kuvendit pas mbledhjes së Grupit. I pyetur nëse Gazment Bardhi dhe deputetët e tij do të jenë të pranishëm në protestë, Berisha deklaroi se opozita do të shkojë në protestë e bashkuar. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky grup do të t’i bashkohet protestës së të enjtes, pasi në atë të së hënës munguan. “Ne do të mbrojmë vlerat, parimet nga një sulm antikushtetues, brutal i Edi Ramës dhe lakejve të tij. U diskutua gjerësisht mbi qëndrimet që do të mbahen ndaj këtij regjimi dhe ju garantoj se do të jenë vetëm përballje, përballje. Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të konsolidojë këtë regjim antidemokratik, diktatorial, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Diskutimet ishin të gjera. Të shumta. Zoti Bardhi do të ju njohë ju me më hollësi për vendimet që u morën, parimet që do të bazohet qëndimi ynë”, tha Berisha. Vetë Gazment Bardhi i pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së Grupit nëse do të marrë pjesë në protestën e së enjtes, deklaroi: “Unë Sali Berisha dhe çdo deputet opozitar, jo vetëm do duhet të bashkëpunojmë, por do duhet të jemi bashkë kundër regjimit të Edi Ramës. Cdo protestë kundër regjimit të Edi Ramës, ka pasur dhe e ka mbështetjen time.” Kujtojmë se vendimarrja e Këshillit të Mandateve më 18 dhjetor do të shkojë për votim të enjten në parlament. Megjithatë, Berisha është i bindur se SPAK ka shkelur procedurat ligjore, dhe pret një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese.

Lexo edhe :  Forbes Global Properties, kryeministri Rama: Çdo shqiptar me pronë, pas disa vitesh...

Seanca e të enjtes

Në seancën plenare të së enjtes pika e parë që do të trajtohet është shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Kujtojmë që ditën e djeshme (18 dhjetor) Këshilli i Mandatave miratoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që i hap rrugë arrestimit të Berishës. Me votat e PS u bashkua edhe deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë Klotilda Bushka u caktua relatore, e cila do të hartojë raportin që do ti dorëzohet seancës plenare.

 

Bardhi për imunitetin

“Për deputetët e PS respektohet Kushtetuta, për të opozitës jo”

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat foli për miratimi e ndryshimeve ligjore të propozuara nga PS për Komisionet Hetimore për komisionet hetimore, si dhe për heqjen e imunitetit të deputetit për ish-kryeministrin Sali Berisha. Bardhi u shpreh në emër të grupit parlamentar të PD, se ndjen keqardhje për standardin e dyfishtë, ndërsa shtoi se për deputetët e Partisë Socialiste respektohet Kushtetuta, ndërsa për të opozitës jo. “Asgjësimi i Opozitës përmes disa veprimeve të koordinuara në disa plan e ka bërë që ne të vijojmë aksionin tonë. Në emër të grupit dua të shpreh keqardhje për standardet që ndjek mazhoranca. Kur bëhet fjalë për opozitën nuk ka rëndësi çfarë shkruhet në Kushtetutë, por vullnetit politik i Ramës. Dua të përsëris qëndrimin e datës 23 tetor s enë gjykimin tonë, bazuar dhe në portikun që ndalimi i daljes jashtë shtetit si masa shtrënguese do duhet patjetër të autorizohet nga Kuvendi. Për ne është e papranueshme që në rastin e Arben Ahmetajt, Prokuroria të paraqitej e përgatitur me një dosje prej 1400 faqesh, ndërkohë për Berishën ka pasur një relacion me 5 faqe dhe asnjë provë shoqëruese.”, u shpreh Bardhi./kb