Manchester City shkatërron Fluminesen dhe fiton Kupën e Botës për klube

Manchester City ka fituar trofeun e pestë në vitin 2023 duke triumfuar në finalen e Botërorit të klubeve përballë brazilianëve të Fluminense. Pritej një duel me shumë rivalitet, por britanikët kanë fituar lehtësisht me shifrat 4-0, me Julian Alvarez protagonistin kryesor të sfidës.

Argjentinasi i aktivizuar në qendër të sulmit, ka shfrytëzuar maksimalisht mungesën e Haland teksa shënoi golin e avantazhit pas vetëm 40 sekondash lojë. Dyfishimi i shifrave erdhi në minutën e 27 kur një gjuajtje e Foden u devijua në portën e vet nga Nino.

Kjo bëri shumë më të lehtë sfidën e skuadrës angleze e cila në pjesën e dytë thelloi me lehtësi diferencën, kur Alvarez pasoi për Foden, i cili nuk gaboi para portës. Në minutat e fundit, Alvarez shënoi përsëri me një gjuajtje në kufijtë e zonës, duke vulosur fitoren e pastër 4-0 që i dorëzoi Sitit trofeun e Botërorit të Klubeve.