Reshjet e dëborës mbulojnë sërish zonat malore në veri të vendit

Reshjet e dëborës kanë mbuluar zonat malore të Shkodrës këtë të premte. Aksi Bogë-Theth sipas ARRSH është i hapur për automjetet por kalimi duhet bërë me zinxhir dhe goma dimërore.

Ndryshe nga zonat malore mbi 1200 metra, pjesa tjetër e territorit është përfshirë nga vranësirat dhe reshjet e pakta të shiut.

“Duke filluar nga dita e shtunë, nuk pritet të kemi prezente reshje, do kemi mbizotërim të intervaleve me kthjellime dhe kalime të pakta të vranësirave.”

Përgjatë fundjavës temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të ndjeshme.

“Parashikohet që dita e dielë të sjellë maksimumi edhe në 18 gradë, përgjatë qyteteve bregdetare, ndërsa në qytetet e zonës së ulet priten nga 15 në 16 gradë c, që janë temp më të larta sa i përket dhjetorit.”

Për Krishtlindje moti parashikohet pa reshje, paraditja e së hënës do të mbizotërohet nga kthjellimet.

“Pjesa e dytë sjell kalime të pakta të vranësirave të fokusuara në zonat veriore, verilindore. Nuk ka sinjale për reshje dëbore sa i përket Krishtlindjes.”

Sinjalet janë që java e fundit e vitit të mbyllet me mot të qëndrueshëm./O.S