Një plumb në kokë i mori jetën 23-vjeçarit Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme (7 janar) në Vlorë teksa doli në ballkonin e banesës për të pirë cigare. I riu që sapo ishte kthyer nga Belgjika u qëllua me snajper, një ekzekutim mafioz të cilit nuk i mbijetoi dot.
Burime për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili thonë se ekzekutori dyshohet se ka qenë një person, i cili më pas është ndihmuar nga 2 persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, sapo i riu është qëlluar me plumb në kokë, dritat në zonë janë fikur dhe qyteti ka qenë në errësirë.
Nuk dihet nëse kjo ishte planifikuar nga autorët apo ka qenë thjesht një rastësi, por ekzekutori ka përfituar nga errësira për t’u larguar pa lënë gjurmë. Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen.
Ndërkohë, pesë minuta pas ekzekutimit, në lagjen 24 ‘Maji’ është djegur dhe automjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët. Burimet thonë se deri më tani nuk është gjetur ende arma e krimit. Një nga pistat e hetimit për vrasjen është hakmarrja, por dyshohet dhe ajo e trafikut të drogës apo konfliktet mes grupeve kriminale.
Kush është Gëzim Sinomati?
Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si ‘buzëderri‘, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000. Ndërsa 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e sotme iu ekzekutua nipi 23 vjeçar./E.T