“Degradon natyrën”/ Mjedisorët kundër ligjit të ri për zonat e (pa)mbrojtura

Organizatat mjedisore dhe ekspertët në fushën e ruajtjes së natyrës kanë shprehur kundërshtinë e tyre përmes një qëndrimi publik për ndryshime ligjore në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, ku projektligji parashikon që t’i hapë rrugë ndërtimeve në parqet kombëtare. Qëndrimi vjen pas prezantimit të projektligjit në komision.

Ky projektligj bie ndesh me qëllimin e ligjit për zonat e mbrojtura”, thuhet në qëndrimin e organizatave mjedisore.  Sipas tyre nëse amendamentet e propozuara miratohen, krijohen kushtet që në zonat e mbrojtura të ndërtohen hidrocentrale, të nxirren hidrokarbure, si dhe ndërtime urbane.

Për organizatat mjedisore këto lloj veprimtarish “tjetërsojnë, shfrytëzojnë intensivisht dhe degradojnë ekosistemet natyrore, duke cenuar kësisoj, thelbin e ligjit për zonat e mbrojtura”.

Pa ndryshimet ligjore zonat e mbrojtura klasifikohen si sipërfaqe territoriale në të cilat ekosistemet natyrore dhe jeta e egër duhet të mbrohen pikërisht nga investimet e sipërpërmendura.

Në projektligj, propozohet menaxhimi i të paktën 20% i sipërfaqes së zonës së mbrojtur nga bashkitë përkatëse./O.S