Sherr me sëpatë dhe armë zjarri mes vëllezerve, 77-vjeçari gjuan me pistoletë vëllanë

Vëllai i madh 77 vjeç ka qëlluar me armë në kokë vëllanë 60 vjeç. Ky i fundit i është kthyer duke e gjuajtur me sëpatë. 60-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ku i është nënshtruar një operacioni, ndërsa vëllai i tij 77 vjeç ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Lushnjë/Informacion paraprak

Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë.

Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit.

Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë./O.S