Vijojnë në Fier dhe Lushnjë kontrollet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me mbështetjen e Policisë së Shtetit, me qëllim çlirimin e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme.
Gjatë dy javëve të para të kontrollit, në të gjithë territorin janë evidentuar 526 pika grumbullimi, të cilave u është kërkuar largimi nga akset rrugore. Moszbatimi i kësaj kërkese në javën e parë është shoqëruar me gjoba dhe masa të tjera administrative.
“Kemi lënë afatin për spostimin vullnetar, dhe nëse s’veprojnë, do të vazhdojmë ne pastaj sipas parashikimeve ligjore”, tha Balla.
“Ligji është në fuqi prej 11 vitesh dhe thotë se s’lejohen gjithë këto vendgrumbullime e mjete të vjetra. Megjithatë ne s’kemi dashur t’ju prishim biznesin. Mos harroni, kjo është rrugë europiane, këtu kalon Europa, vjen nga Gjermania, kalon në Kroaci, më tej në Shqipëri dhe vijon në Greqi”, theksoi Balla.
“Në asnjë vend të botës nuk lejohet që me këtë rrugë, të ketë këto pamje. Mos kujtoni se do bëhet si herët e tjera, që e kanë nisur dhe e kanë lënë në mes. Drejtori i IKMT, bashkë me drejtorin e Policisë së Shtetit, e kanë me merak këtë pjesën e rolit që duhet të luajmë ne për përgatitjen e Shqipërisë për sezonin turistik”, nënvizoi ministri i Brendshëm.
“Edhe këto pikat që shesin mjete, që kanë një copë tokë aty, duhen sistemuar, duhen pastruar ferrat dhe gjërat. Pikat e shitjes së mjeteve kanë qenë objekt i kontrollit, duhen sistemuar me tabela, dhe po ashtu duhen spostuar, për të hapur edhe më tej pamjen e rrugës”, përfundoi Balla./kb