“Kuvendi, jo më një çmendinë”/ Rama: PS ‘jo’ pazare me opozitën

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën hyrëse në Asamblenë e Partisë Socialiste i cili njoftoi se janë afruar 29 mijë anëtarë të rinj në PS ndërsa shprehet se ka vendosur objektiv që deri në Qershor numri të shkojë 50 mijë.

Rama mblodhi sot Asamblenë në Gjirin e Lalzit me qëllim rienergjizimin e partisë një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Rama theksoi se objektivi i dytë është hapja e partisë për të djathtët duke lënë pas ndasitë pasi kundërshtarët janë të dërrmuar politikisht.

“Deri tani kemi 29225 anëtarësime të reja. Le të mos ndalemi këtu por të vendosim dy objektiva të reja 50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e Qershorit të këtij viti, dmth edhe 20 mijë e pak që u shtohen këtyre që janë anëtarësuar deri tani.

Të gjithë e keni parë sa shumë gatishmëri dhe me sa shumë lehtësi janë tejkaluar objektivat vetëm për një arsye të thjeshtë sepse nuk kemi pritur që njerëzit të vijnë tek ne por kemi shkuar ne tek ata.

Dhe e dyta, rishikimi i përbërjes së çdo organizate socialiste me qëllim harmonizimin e përbërjes me profilin politik dhe social që mbulon, burra e gra të çdo moshe, djem e vajza duke hapur partinë për të kaluar ndasinë majtas apo djathtas, kundërshtarët tanë të dërrmuar politikisht. Duam një parti me gjak të ri”, tha Rama gjatë fjalës së tij./   S.M