Investimet e huaja po rriten/Nga blerjet e pronave, frenohen në energji, bien në industri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme kryesuan investimet e huaja në ekonominë shqiptare për të dytin vit radhazi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 22% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar. Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 71 milionë euro, 8% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022. Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitet pas pandemisë po mbështetet në masë të konsiderueshme prej kërkesës që vjen nga investitorët e jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera bregdetare të rajonit. Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse dhe ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona për qëllime investimi. Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2023 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.56 miliardë euro, në rritje me 40% krahasuar me një vit më parë.

Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është rritur me më shumë se 20 herë. Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e tyre vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk ka ardhur vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera. Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.

Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar ishte industria nxjerrëse. Ky sektor solli investime në vlerën e 270 milionë eurove ose 18% të totalit. Investimet në këtë sektor u rritën me më pak se 1% krahasuar me një vit më parë. Stabilizimi i çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare e ka frenuar rritjen e investimeve në nxjerrjen e naftës, pas rritjes së ndjeshme që ato shënuan në vitin 2022.

Lexo edhe :  Niveli më i ulët historik! Rënia e euros në këmbim me lekun, thyen rekorde të reja

Rritje të lartë vitin e kaluar shënuan investimet në sektorin e shërbimeve financiare, që prekën vlerën e 239 milionë eurove, në rritje me 51% krahasuar me një vit më parë. Investimet në këtë sektor përbënin 16% të fluksit total të investimeve të huaja direkte për 2023. Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, të mbështetura nga fitimet e larta vjetore dhe nga rritja e kërkesave rregullatore për kapital në vitet e fundit. Investimet në sektorin energjetik për vitin e kaluar pësuan rënie në vlerën e 159 milionë eurove, 9% më pak krahasuare me vitin 2022. Rënia e vitit të kaluar mund të jetë ndikuar nga cikli i projekteve madhore, parku fotovoltaik i Karavastasë, ku vlera më e madhe e investimit u përqendrua në vitin 2022. Megjithatë, energjetika dhe në veçanti ajo diellore vazhdon të tërheqë vëmendje të lartë të investitorëve të huaj, por edhe atyre vendas. Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka kaluar tashmë vlerën e 3.3 miliardë eurove.

Një tjetër sektor ku vitin e kaluar pati rënie të investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Investimet e huaja në këtë sektor zbritën në 124 milionë euro, 15% më pak krahasuar me një vit më parë. Investimet e huaja në industrinë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive. Megjithatë, duket se rritja e pagave dhe forcimi i Lekut po e bën më pak tërheqës këtë sektor për investime të reja.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.49 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 9% krahasuar me një vit më parë./ Revista “Monitor”

Të fundit

Makina 670,000 euro i ministres “përçan” Turqinë

Ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqi, Mahinur Özdemir Göktaş, e vetmja grua dhe anëtarja më e re...

Hansi Flick do të bëjë një ndryshim të madh te Barcelona

Robert Lewandowski me shumë mundësi do luajë sezonin e fundit me Barcelonën dhe do largohet verën e ardhshme. Polaku mungoi ndeshjen e parë të...

Britania e Madhe: Gati të dërgojmë trupa për Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe protet e Ukrainës. Britania e Madhe thekson se...

Digjen katër automjete të ushtrisë gjermane, zjarr i qëllimshëm

Katër automjete të parkuara të ushtrisë gjermane u dogjën plotësisht në orët e para të së martës në Kassel. Sipas hetimeve të deritanishme të policisë...

U helmuan nga ushqimi, shënohet viktima e dytë në Itali

Një ngjarje tragjedi është regjistruar në qytetin italian të Cagliarit, ku kanë mbetur dy viktima pas helmimit në një festiva. Helmimi ushqimor ndodhi gjatë festivalit...

Lajme të tjera

Web TV