Albin Kurti analizon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, 58 marrëveshjeve në vetëm 3 vitet e fundit
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur arritjet e viteve të fundit për tu afruar më shumë me vendin tonë, ndër të cilat ka përmendur hapjen e dy zyrave doganore në Durrës dhe Porto Romano, përurimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX dhe nënshkrimin e 58 marrëveshjeve bilaterale në vetëm 3 vitet e fundit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka analizuar ditën e djeshme marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kurti shkruan në rrjetet sociale se me Shqipërinë ‘nuk jemi’ kurrë mjaftueshëm afër dhe se ka gjithmonë vend për përafrim, tema për përbashkim dhe fusha për përfitim të dyanshëm. Ai shton se me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, ata fituan qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia e tyre. Kurti thotë se në 2023, Shqipëria u bë partneri kryesor tregtar i Kosovës. Sipas Kurtit, ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Me Shqipërinë nuk jemi kurrë mjaftueshëm afër. Ka gjithmonë vend për përafrim, tema për përbashkim dhe fusha për përfitim të dyanshëm. Sot, marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar më shumë se ndonjëherë më parë. Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik. Funksionalizuam dhe përuruam bursën shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, e cila na mundëson të rrisim shumëfish shkëmbimet përmes kësaj burse të përbashkët. Po aq historike ishte edhe kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Bregdeti shqiptar do të mirëpresë sportin e lundrimit në kuadër të këtyre lojërave. Prej marrëveshjeve bilaterale që ekzistojnë mes nesh, 58 u nënshkruan gjatë këtyre tri viteve, e në kuadër të së cilave i kemi mbajtur edhe dy mbledhje fizike të përbashkëta të qeverive tona. Thjeshtësimi i procedurave burokratike, lehtëson qasjen e qytetarëve tanë në shërbime por edhe jetën e tyre të përditshme. Pajisja me leje qëndrim tashmë merret më shpejt e me më pak procedura. Kurse sa i përket legalizimit të dokumenteve, kemi hequr mes nesh kërkesat për vulë apostile. Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dy vendet”, shprehet Kurti. Ai thotë se Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët. “Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar lëvizin më lirë me funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta. E ndërmjet fshatrave ndërkufitare kemi filluar të ndërtojmë rrugë që na lidhin edhe më shumë, edhe më lehtë, për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor. Ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Ajo do të jetë infrastruktura e radhës fizike që i përgjigjet vullnetit, dëshirës dhe nevojës për të qenë me afër. Ndërkohë që hapja e korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, e afron Kosovën me vendet tjera. Shkurtohet koha e udhëtimit dhe ruhet mjedisi sepse zvogëlohet trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova. Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët”, përfundon reagimin Albin Kurti.
Kurti: Serbia po vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar dje Serbinë se po vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga forcat e saj kriminale edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se mbi 950 shqiptarë janë nxjerrë nga pesë varreza masive në Serbi. “Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës,” ka shkruar Kurti në Facebook. Ai ka përkujtuar se më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, forcat serbe rrëmbyen dhe vranë gjashtë burra e djem civilë Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. “Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21-vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek-shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve,” ka përfunduar Kurti.
Vuçiç: Kurti do ta përdorë Këshillin e Evropës që të ngrejë padi kundër Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë ditën e djeshme se Albin Kurti po kërcënon Serbinë me padi për gjenocid pikërisht tani, sepse, sipas tij, dëshiron të përdorë institucionet e Këshillit të Europës dhe përmes tyre të ngre padi kundër Beogradit. “Është pjesë e një plani masiv për sulme dhe presion ndaj popullit serb dhe Serbisë. Do të durojmë dhe do të fitojmë”, tha Vuçiç gjatë një vizite në njësitë në aeroportin ushtarak në Batajnicë, raporton Danas. Ai tha se një sjellje të tillë Kurtit ia ka mundësuar pak ditë më parë raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis dhe vendet perëndimore duke rekomanduar që Kosova të anëtarësohet në KiE. Siç tha Vuçiç, Kurti ka pritur deri më tani “që një shtet tjetër të ngre padi, sepse Kosova nuk mundet, pasi nuk është një vend i njohur ndërkombëtarisht”. “Dikush tjetër mund ta bëjë këtë në emër të tyre, që është një çështje shumë e vështirë politike”, tha Vuçiç.