Pse janë shtuar sëmundjet alergjike në Shqipëri! Flet mjekja alergologe

Miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga alergjitë e llojeve të ndryshme. Grimcat alergjene të shpërndara në ajër acarojnë rrugët e frymëmarrjes, lëkurën apo çdo pjesë tjetër të trupit.

Ndërkohë, mjekët e shohin alergjinë si një shqetësim që po prek gjithnjë e më shumë njerëz.

Mjekja alergologe dhe imunologe klinike Dr.Sh.M. Eris Mësonjësi  shpjegon edhe pse janë shtuar sëmundjet alergjike vitet e fundit.

“Nuk ka vetëm një faktor që e nxit. Janë veprime që kanë ndërveprimin e faktorit gjenetik, që është shumë i rëndësishëm.

Në rast se një fëmijë ka një prind alergjik, rritet rreziku për rrufë alergjike me 25%, nëse janë të dy prindërit shkon në mbi 50-60%. Janë dhe faktorët ambientalë, pluhuri, myqet në shtëpi dhe jashtë saj

Mënyra e lindjes së fëmijës, me operacion ose lindje natyrale, sa shumë ekspozohet ndaj antibiotikëve në vitet e para të jetës. Sepse antibiotikët ndryshojnë mikrobiomën, ngarkesën mikrobiale të organizmit.

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme që na mbron nga disa sëmundje. Ndotja e mjedisit, ngrohja globale që ndikon në zgjatjen e periudhës së polenizimit, janë alergjenë të rëndësishëm.

Këto faktorë bëjnë që të rritet prevalenca e sëmundjeve alergjike.”, u shpreh alergologe./  S.M