Partia Socialiste do të venosë pak para nisjes së seancës Parlamentare për qëndrimin që do të mbajë për kërkesën e opozitës që lidhet me heqjen e mandatit të saj.
Fati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje edhe nga socialistët, pasi nëse votojnë kundër kërkesës së PD-së, njëkohësisht nuk njohin as vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çka do hapte debate të tjera edhe nga faktori ndërkombëtar.
Partia Socialiste në Këshillin e Mandateve nuk ishte e aftë që të vendoste rreth mandatit të deputetes së tyre Olta Xhaçkës. Ata e lanë të paqartë qëndrimin, duke ja lënë ditës së sotme vendimin që do të marrë shumica për kërkesën e PD-Rithemeilimit.
Sot pritet që në 9:30 të mblidhet grupi i PS-së, pasi deputetët ende nuk janë të qartë se çfarë do të bëhet. Megjithatë rrëzimi i kërkesës së Rithemilimit do të ishte një kosto për mazhorancën sa i takon besimit tek drejtësia.
Pavarësisht këmbënguljes së përfaqësuesve të opozitës që parlamentit t’i rekomandohej dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ata ranë dakort vetëm që rasti të kalojë në seancë dhe të ishin deputetët që më pas të shpreheshin me votën e tyre.
Pikëpyetjet mbi mandatin e Xhaçka lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Bledi Çuçi, në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke folur edhe në cilësinë e juristit, u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçka krijon vakum, pasi vetë kjo gjykatë ka konflikt në këtë çështje.
Sipas Çuçit, ndodhemi në konflikt të arsyetimit kushtetues. “Debati lind në pikën ku thuhet se pjesë e vendimit të GJK, janë edhe pjesët arsyetuese. Këtu përfshihet narrative e shumicën mbi të cilët është bazuar ky vendim. Sot ndodhemi në konflikt të vetë arsyetimit kushtetues. Një palë thotë se Kuvendi është i detyruar të votojë si them unë.
Dhe këtë nuk e thotë Kuvendi. Por, disa gjyqtarë, 1/10 mendojnë se duhet ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe sipas tyre deputetët duhet të votojnë me detyrim.
Nga ana tjetër, sskemi gjyqtarë që thonë se nuk është detyruese kërkesa e 1/10 të deputetëve për të kërkuar mocion, nuk e detyron Kuvendi të marrë vendimin në një formë të caktuar. Meqë jemi në vakum për të marrë një vendim për këtë çështje, pra Kuvendi nuk ka një vendimmarrje sot.
Duke qenë se ka vetë konflikt GJK, unë kam një pyetje, pse ia mohoni të drejtën e 1/5 së deputetëve për ta adresuar mandatin e Xhaçkës direkt në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur Çuçi. Por, Gazmenti Bardhi kundërshtoi, duke u shprehur se “tani kemi detyrim vetëm të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Deri tani, një ndër subjektet që e vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, është një e pesta e deputetëve. Në fakt, këtu ka ndodhur diçka e çuditshme, në raport me të gjithë traditën e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse për të njejtin objekt, Gjykata nuk legjitimoi një të pestën, por legjitimoi një të dhjetën, dhe kjo është të krijosh një normë të re”, u shpreh nënkryetarja socialiste e parlamentit Ermonela Felaj.
Raporti për këtë çështje do t’i kalojë seancës së sotme. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që të kishte rekomandim të qartë për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. “Ka vetëm një detyrë, që t’i rekomandojë seancës plenare, që të votojë dërgimin e mocionit të një të dhjetës së deputetëve për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo do të duhet të jetë vendimmarrja”, deklaroi Bardhi. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj tha në një konferencë me shtypin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe se pikëpyetjet mbi zbatimin e tyre nuk mund të përfytyrohen.
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, përfundimtarë dhe për t’u zbatuar. Nuk ka ekuivoke në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha zonja Zaçaj.
Çështja e mandatit të Xhaçkës u rikthye në vëmendje ditët e fundit, pasi Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën bashkëshorti i zonjës Xhacka po ndërton një hotel në bregdetin e Dhërmiut.
Trualli i blerë nga persona privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Për rastin, pak javë më parë u arrestua dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.
Në këtë situatë socialistët nëse nuk votojnë për deregimin e çështjes për interpretim në Kushtetuese në mënyrë direktë nuk njohin vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese e cila i kërkon Parlamentit që për rastin Xhaçka të vendoset që çështja të shkojë për intepretim po në kushtetuese.