E hënë e “zezë” për valutat, Euro në rënie të lirë, nënçmohet me mbi 12%

Monedha kombëtare ‘Lek’ e ka nisur javën më e fortë se të gjitha valutat e huaja. Banka e Shqipërisë raporton se euro këtë të hënë po këmbehet 12.1 lekë më pak se në prill të vitit të kaluar. Një euro po blihet e shitet me 100.7 lekë, ndërsa vjet ishte 112.8 lekë.

Në rënie të fortë është edhe dollari që po luhatet në shifrat 93-94 lekë, por edhe franga, paundi, dollari australian-kanadez, jeni, korona norvegjeze apo daneze të gjitha janë zhvlerësuar kundrejt lekut.

Banka e Shqipërisë thotë se shkaku kryesor për këtë zhvlerësim të valutave janë prurjet valutore nga jashtë, për shkak të numrit të lartë të turistëve. Po të njëjtit qëndrim mban edhe Ministria e Financave, pasi në raportin për ekonominë në janar financat thonë se: -“ Rënia e monedhës euro ka ardhur si pasojë e numrit të lartë të turistëve të huaj dhe të flukseve valutore hyrëse nga turizmi. Forcimi i monedhës vendase ndaj euros këtë vit ka ndihmuar në zbutjen e pjesshme të presioneve inflacioniste nga jashtë.

Këta faktor sipas institucioneve vendase kanë ndikuar në shtimin e valutës në treg, ndërkohë që kërkesa është e ulët. Vetëm si pasojë e zhvlerësimit të euros në vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka shtuar blerjet e valutës.

“Duke marrë shkas nga teprica e ofertës në valutë në treg, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë blerjet e valutës në tregun valutor, me qëllim rritjen e rezervës valutore për vitin 2023, nga intervali fillestar prej 160 – 220 mln eurosh në intervalin 220 – 300 mln euro”, thuhet në raportin vjetor të BSH.

Por nga ana tjetër ndikim po jep edhe rritja e normës bazë të interesit, që e bën më të fortë lekun, përballë monedhave të huaja. Ndërsa për ekspertët shkaku kryesor i kësaj rënie është informaliteti i lartë, që po rrit sasinë e valutës në treg.

Lexo edhe :  Verërat shqiptare drejt BE, miratohen certifikatat e reja

Forcimi i lekut edhe pse ka ndikuar në uljen e inflacionit ka dëmtuar ndjeshëm sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos fasonerinë./   S.M