SPAK-u “mbrojtje” nga të huajt, sulm nga politika

Institucionet ndërkombëtare kanë nisur një “fushatë” mbrojtjeje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK është goditur nga gjithë politika shqiptare, edhe pse të fundit që kanë atakuar institucionin hetimor janë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe i Rethemelimit Sali Berisha.

Faktori ndërkombëtar është ndjerë i shqetësuar në lidhje me këto sulme dhe herë pas here kanë deklaruar se sistemi i drejtësisë nuk duhet të preket. Më herët edhe Rama e vuri në shenjestër SPAK-un, duke i kujtuar që të mos godasë vetëm majtas, por të shohë edhe në kampin tjetër, duke përmendur Berishën dhe Metën.

Dje Ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato ka shprehur mbështetjen për institucionet e reja të drejtësisë. Gjatë një takimi për projektin e BE-së për Drejtësinë Gonzato vuri në dukje se puna e tyre është çelësi për të çrrënjosur korrupsionin nga vendi.

Për këtë arsye ai theksoi se Bashkimi Evropian do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi. “Ne mbështesim plotësisht institucionet e reja të drejtësisë dhe reformën në drejtësi të vitit 2016, e cila u mundësoi atyre të japin drejtësi për qytetarët. Puna e tyre është çelësi për çrrënjosjen e korrupsionit nga Shqipëria.

Në komitetin drejtues të projektit EU4Justice, theksova se integrimi në BE varet shumë nga kontributi i tyre. Dhënia në kohë, efektive dhe transparente e drejtësisë është çelësi për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi”, shkruhet në postim. Sulmin ndaj SPAK e ka bërë më herët edhe kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialsite më 17 mars të këtij viti.

Lexo edhe :  Zgjedhjet e Tiranës, zbulohet data kur Rama mbledh strukturat e partisë

Edi Rama ka sulmuar organet e drejtësisë për vënien nën sekuestro preventive të planit të investimit për portin e Limianit në Sarandë, aq shumë i kontestuar në media. Rama e konsideroi si një absurd këtë vendim të drejtësisë, teksa sipas tij, të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje.

“Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.

Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje…”, ka thënë Rama.

Në dukje duket se drejtësinë në vendin tonë e duan vetëm të huajt, ndërsa shprehja “kur gjykata flet, duhet heshtur” për shqiptarët nuk gjen vend. Vendimet e lidhura politikisht nuk janë pranuar kurrë në historikun e saj, pasi janë atakuar gjithmon me togfjalëshin “drejtësi e blerë”.