Meta gjen “armiq dhe tradhtarë” kudo, sulmon edhe Bashën

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në çdo dalje publike prej dhjetë ditësh ka sulmuar këdo, përveç kreut të Rithemelimit Sali Berisha. Akuzat ndaj kryeministrit Rama, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, kreut të SPAK-ut Altin Dumani e madje edhe ndaj bashkëshortes së tij Monika Krymadhi kanë vijuar prej disa ditësh dhe së fundmi edhe ndaj kreut të PD-së zyrtare Lulzim Basha. Në një takim që mbajti në Fier me strukturat e PL-së i është përgjigjur Lulzim Bashës, pasi ky i fundit tha se Ilir Meta ka inicuar djegien e mandateve në 2019. Meta tha se Lulzim Basha edhe kur fle gënjen, ndërsa shtoi se të gjithë e dinë se zgjedhjet vendore i ka shtyrë me kërkesë të tij me premtimin se do të merrte pjesë, por nuk u regjistrua në KQZ. “Edhe këtë e ka thënë Lulzim Basha. Normal unë mesa duket e kam iniciuar unë djegien e mandateve për t’i krijuar mundësin Edi Ramës që të kishte 130 deputetë që të më shkarkonte mua si president, akt që i duheshin vetëm 94 vota. Se kush është Lulzim Basha, e dimë të gjithë, e dinë gjithë shqiptarët. Është njeri i braktisur dhe i përbuzur nga të tërë për aktet e rënda të vetëdijshme të tradhtisë që ka bërë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve duke lënë vendin pa opozitë, për shërbimet e pafundme të këtij regjimi. Të gjithë e dinë që zgjedhjet vendore u shtynë nga presidenti Meta në atë kohë me kërkesë të Bashës dhe premtimin se do të hynte në zgjedhjet, datë të cilën e caktoi vetë. Atëherë si shpjegohet që e vetmja parti opozitare që nuk u regjistrua në KQZ ishte vetëm ajo e Lulzim Bashës, dhe pse iu kërkua vazhdimisht. Lulzim Basha dhe kur fle, gënjen”, tha Meta. Pak orë para reagimit të Metës, kreu I PD-së zyrtare Lulzim Basha e cilësoi Metën si nxitës që opozita të digjte mandatet e deputetëve në vitin 2019. “Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, njësoj si të tjerët. Disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin e fshehin dorën, këtë bëri pas 21 Janarit pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër”, u shpreh Basha. Kryetari i PD-së theksoi se me Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë nuk do të ketë asnjë marrëdhënie politike, teksa e quajti kreun e PL-së “pazarxhi kronik”.  “Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, njësoj si të tjerët. Disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin e fshehin dorën, këtë bëri pas 21 Janarit pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër. Ilir Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës, është faktori kryesor për ardhjen e Ramës në pushtet dhe mbajtjen e tij në pushtet në 2017, dhe me çmenduritë e tij në 2021 të malit me gropa. Për ne Ilir Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik, por si kryetar i PD qëndrimi im është që me Ilir Metën dhe Pl nuk ka për të pasur më asnjë marrëdhënie politike., Janë apo është pazarxhi kronik i cili problemet nuk i ka më as me PD, por atje ku i ka, të përballet me problemet që ka”-tha Basha. Por ndërsa komentonte Lulzim Bashën, një tjetër Bashë do I dalë “përballë” në gara për t’u bërë President i PL-së. Faik Basha do të jetë rivali i Ilir Metës për të drejtuar Partinë e Lirisë. Me anë të një postimi në Facebook, ish drejtori i policisë së Kamzës ka shpallur kandidaturën. Basha shprehet se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë̈ lloj skandali, ndaj thotë se kërkon që të gjithë formimin dhe profesionalizmin ta ushtrojë në të mirë të vendit. Vendimi që ai ka marrë, thotë se “është i drejtë dhe në kohën e duhur, për t’u sigurar shqiptarëve se nuk do të qëndrojnë më në mëshirë të fatit.” “Unë besoj tek Partia e Lirisë, pasi kjo forcë politike është angazhuar ndër vite dhe vijon të investojë tek rinia, që janë e ardhmja e vendit tonë dhe intelektualët e ndershëm, të cilët do të rimëkëmbin vendin! Shqipëria është në kolaps dhe është i domosdoshëm largimi i menjëhershëm i kësaj qeverie, që për vite mbushën xhepat e tyre dhe zbrazën sofrat e shqiptarëve. Shqipërisë i duhet një frymë e re, ajo e Partisë së Lirisë, për t’i dhënë pushtetin e merituar sovranit, popullit. Shqiptarët kanë në dorë gjithçka dhe njohin fuqinë e votës së tyre”, thotë Basha. Kreu i PL-së përshëndeti ish-drejtorin e Policisë së Kamzës “për shpirtin e garës”, pas vendimin të tij për ta rivalizuar. Por, Ilir Meta theksoi se “sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi”, duke përmbyllur fjalën “do të fitojmë pa doping”. “E përshëndes për shpirtin e garës, shpirtin e garës e kemi të lindur. Sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi. Do të fitojmë pa doping”, tha Meta.