Në propozimet e grupimit të opozitës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor aktual, është edhe pika e “votimit të detyruar”. Ndonëse nuk përcaktohet masa ndëshkuese, në çdo vend tjetër ku votimi është i detyruar, aplikohet masë administrative me gjobë nëse zgjedhësit refuzojnë pjesëmarrjen në votime.
Rithemelimi, i drejtuar nga Sali Berisha ka prezantuar dje propozimet për ndryshimet në Kodin Elektoral. Ajo që vjen si risi por detyruese është votimi. Kjo vjen si pasojë e rënies së numrit të votuesve të cilët nuk shprehin asnjë inters për forcat politike dhe se kush do ti qeverisë në ardhme. Edhe për shkak të rritjes së emigracionit, niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje vendore apo qëndrore ka shënuar vetëm rënie. Kujtojmë vetëm zgjedhjet e fundit paralmentare ku nga 3.452.324 kanë votuar vetëm 1.613.960, çka do të thotë se më shumë se 53 për qind nuk kanë marrë pjesë në votim. Kjo duket se e ka vënë në lëvizje Rithemelimin për të thithur vota më shumë, e cila pretendon të jetë fituese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në pranveren e vitit të ardhshëm. Për ata të Rithemelimit, vota është e drejtë dhe detyrë. “Duket sikur detyrohet zgjedhësi, por në fakt është mbrojtje e zgjedhësit. Pra mbron të drejtën e tij për të votuar i lirë”, u tha në tryzë Oerd Bylykbashi. Për të maksimizuar votat e saj opozita ka bërë edhe propozime të tjera sidomos ajo që favorizon gjithmon kandidatin, listat e hapura, që mazhorancës qeverisëse nuk i intreson fare.E rëndësishme për Rithemelimin është ti kthehen marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Drafti që përmban tetë pika është mbi tryzën Grupit të Dialogut.
Ndryshimet e propozuara
Një nga kërkesat është rikthimi i koalicioneve me listën e hapur të partive të koalicionit, siç kanë qenë para marrëveshjes së 5 qershorit 2020. “Kur flasim për rikthim, ne kërkojmë që sistemi zgjedhor të rikthehet në parametrin thelbësor që e kishte. Në këtë aspekt, çështja që ne kërkojmë është rikthimi i koalicioneve siç kanë qenë deri në vitin 2020. Koalicionet e partive politike ku të gjitha partitë e koalicionit shfaqen në fletën e votimit me emrin e vet dhe kanë kutinë e vet ku zgjedhësi voton partinë që do. Pra, po kërkojmë listën e hapur të partive të koalicionit. Partitë duhet të kenë të drejtën të garojnë në mënyrë autonome në kuadër të një organizimi të përbashkët”, deklaruan përfaqësuesit e opozitës në Grupin e Dialogut i ngritur mes Rithemelimit dhe mazhorancës. Pika e panegociueshme, për Rithemelimin është pranimi i kthimit të koalicioneve si para ndryshimeve kushtetuese të korrik 2020. Ata kujtojnë se marrëveshja e qershorit pati ka konsensusin e palëve politike dhe nuk u përshëndet vetëm nga ambasadorët, por edhe nga kancelaritë diplomatike në Uashington, në Bruksel, Berlin e me radhë. Por një ditë më parë kreu i qeverisë mohoi që mazhoranca të lëshojë këtë pikë. Këto qëndrime dukshëm larg njëra tjetrës, ngrenë pikëpyetjen a do të arrijnë të prodhojnë një produkt konsensual palët në Grupin e Dialogut, të ngritur mbi të gjitha për të çuar përpara Reformën zgjedhore, apo nëse do të dështojnë për të shkuar në 2025 me rregulla të reja loje. PD qëndron gjithashtu plotësisht edhe për listat e hapura.
Vota e diaspores
PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës. “Ne e dimë se censusi ka prodhuar të dhëna dramatike dhe PS i fsheh, boll të mos tregojnë se Shqipëria është shpopulluar dhe për rrjedhojë shumica e zgjedhjeve janë jashtë Shqipërisë. PD angazhohet të analizojë me seriozitet problematikat e votimit elektronik të shfaqura në zgjedhjet e fundit. Një sistem i cili mund të sjellë avancime shumë të mëdha në standardin zgjedhor, duhet të jetë i sigurt dhe i besueshëm”, u tha në prezantim.
Pikat e draftit për Refomën Zgjedhore
Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore si para 2020
Vota e 100% e diasporës, jo sipas e-Albania, por të gjithë.
Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cënon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.
Listat e hapura.
Votë detyruese për qytetarët.
Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE-së.
Riformatim me 6 rajone.