Media shqiptare përballë qeverisë, përballë opozitës dhe përballë vetes

Nga ROLAND QAFOKU

Nuk ngjalli habi mes gazetarëve raporti i organizatës “Reporterë pa kufij” për indeksin e lirisë së medias në Shqipëri i bërë publik ditën e premte. Rënia me 3 pikë dhe marrja e statusit si vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor nuk na çuditi gjithashtu. Nuk ka besoj në komunitetin e gazetarëve në Shqipëri që nuk e ka ndjerë që vitin 2023 ka qenë i çimentuar fakti se Shqipëria nuk është një vend i mirë për të bërë gazetari.

Megjithatë, rënia në kategorinë e katërt si një vend i vështirë për të bërë gazetari, nga kategoria e tretë që ishte më parë si një vend problematik, kalon çdo cak. Për ta kuptuar më mirë këtë mjafton të themi se më poshtë fare është kategoria e pestë në të cilën përfshihen vendet diktatoriale si Irani, Rusia dhe Kina. Pra, me pak fjalë, më keq, nuk ka më. Aktualisht të duket sikur jemi më 5 janar 1991 kur u themelua gazeta “Rilindja Demokratike”. Atë ditë vërtetë Shqipëria politike u bë pluraliste, por vetëm një ditë më parë, pra më 4 janar, vendi ishte në diktaturë.

Dhe pavarësisht kësaj gjendje, për komunitetin e medias, e gjithë kjo panoramë e zezë nuk ishte fare habi. Atë ditë nuk pati ndonjë shqetësim kushedi se çfarë në komunitetin e gazetarëve. Dy apo tre të ashtuquajtura protesta, më shumë dukeshin sikur po shkruanin historinë e medias duke përmendur disa raste të 20 apo 30 viteve më parë se sa tregonin shqetësimin aktual. Në to paraqiteshin disa gazetarë që dikur paskan vuajtur vetëm pse janë thirrur në gjyq në vend që të tregonin se vërtetë disa gazetarë kanë qenë viktima reale me dhunë ndaj tyre me pasoja të rënda për jetën.

Asnjë aktivitet, asnjë protestë dhe asnjë reagim real nga një komunitet me rreth pesë mijë anëtarë. Edhe pse 3 maji, dita kur u publikua ky raport, është nga më të rëndët që pas vitit 1990, për gazetarët ishte një ditë e zakonshme pune.

Kjo ditë tregoi realisht mpirjen e trurit të medias shqiptare dhe është pak të themi se po kalon në agoni të plotë. Po përse media në Shqipëri arriti deri në këtë pikë? Cilët janë fajtorët? Cili është raporti i medias shqiptare së pari me qeverinë? Cili është raporti i saj me opozitën dhe cili është raporti i saj veten e saj?

 

MEDIA PËRBALLË QEVERISË

Problemi kryesor për këtë pozicion të medias në Shqipëri është qeveria dhe sjellja e saj. Në një vend që renditet në kategorinë e katërt për lirinë e medias dhe është shumë afërt regjimeve diktatoriale sigurisht që problemi është qeveria dhe askush tjetër. Nëse këtë konkluzion do ta thoshte apo shkruante një gazetar kritik apo përfaqësues të opozitës, qeverisë nuk do t’i bënte shumë përshtypje.

Habia e asaj që ndodhi po më 3 maj është se këtë e pranoi edhe vetë kryeministri Edi Rama që duke treguar shqetësim falënderoi “Reportët pa kufij” duke premtuar se do të ndërhyjë që ky raport të ndryshojë se do ta analizonte atë me palët e interesuara, se do të ndërmerrte veprime të mëtejshme për lirinë e informacionit e duke shtuar në atë reagim frazën “dezinformim për ta luftuar”.

Ne nuk e dimë se çfarë hapash do të marrë qeveria. Ne dimë që media dhe qeveria nuk janë partnerë, por kundërshtarë. Në situatën që po kalon media shqiptare në rastin më të mirë qeveria ka në dorë një element të rëndësishëm: Të krijojë kushte që media të jetë e lirë. Kaq. Por që të jetë e tillë çdo kompani mediatike duhet të funksionojë normalisht. Po marrim vetëm një aspekt, atë financar.

Situata në Shqipëri është që vetëm tre-katër media funksionojnë kështu. Gjithçka tjetër është e mbytur në kaos së pari ekonomik dhe së dyti profesional. Kompani mediatike të falimentuara, punonjës të medias që nuk paguhen apo paguhen keq përbëjnë një shtrat që nuk i japin mundësinë gazetarëve të bëjnë gazetari, për të mos shkruar t’i bëjnë oponencë qeverisë. Shumica e televizioneve janë në momentet e tyre më të rënda financiare.

Praktikisht ata janë të falementuar dhe gazetarët që punojnë në to dhe marrin rrogën 1 herë në katër muaj nuk mund t’i quash as gazetarë e as punonjës të medias. A mund të bëhet gazetari në një vend kur shumica e televizioneve apo atyre pak gazetave kanë falimentuar ekonomikisht dhe gazetarët ose e marrin rrogën 3-4 muaj me vonesë ose nuk e marrin fare?

A mund të quhet normale për të bërë gazetari në një vend me 2 milionë banorë që ka rreth 1 mijë portale? Pra përafërsisht në 20 mijë banorë ka një portal, shumica e të cilëve janë jashtë kontrollit dhe bilanceve financiare. Çduhet të bëjë qeveria?

Sigurisht që ka shumë të bëjë. Ajo nuk mund të lejojë një kaos të tillë financiar me kompani mediatike të zhytura në borxhe dhe të falimentura. Nëse ka vullnet, nëpërmjet mekanizmave shteti një pjesë të mediave që vijnë nga media tradicionale mund t’i ndihmojë me paketa ekonomike.

Këtë mund dhe duhet ta bëjë pa selektime dhe preferenca, por nëpërmjet ligjeve të posaçme, për hartimin e të cilëve të përfshihen aktorët e medias, grupet e interesit, specialistë të medias, deputetë të mazhorancës dhe opozitës njëkohësisht, në mënyrë që të përfitojnë të gjitha ato media serioze edhe pse mund të jenë kritike me qeverinë. Ndryshe, nëse qeveria nuk ndërhyn, lë të kuptojë se i intereson kjo gjendje.

I ka lënë dhe do t’i lërë mediat në gjendje të lirë dhe shikon e qetë se si degradojnë një e nga një kompanitë mediatike. Rrjedhimisht, shikon po e qetë se si media shqiptare ka degraduar.

 

MEDIA PËRBALLË OPOZITËS

Problemi i dytë po aq kryesor është sjellja e opozitës me median. Është e rëndë ta konstatojmë, por sjellja e saj në raport me median është pothuajse si e qeverisë. Opozita aktuale kopjon qeverinë në të njëjtën formë, edhe pse nuk është në pushtet. Sot opozita ka median e saj, televizionet e saj, portalet e saj, gazetarët e saj, por asnjë prej tyre nuk funksiononin ndryshe nga mediat e qeverisë.

Lexo edhe :  Rama ndan pamje nga kantieri i rrugës Vodicë – Qafë Dardhë/ Një mundësi e re për Beratin

Opozita tregon me gisht se x televizion është i Edi Ramës dhe x portal është i qeverisë dhe x gazetarë janë të qeverisë, por ironia është se edhe vetë opozita funksionon fiks si qeveria. Raporti i saj me median është selektues dhe aspak i hapur ndaj komunitetit të gazetarëve. Ajo është e kënaqur që ka grupin e vetë të gazetarëve që mbështesin opozitën. Kjo sigurisht që nuk ka asgjë të keqe.

Por ky grup kapërcen çdo vlerë profesionale kur funksionojnë të joshur nga partia njësoj si gazetarët e joshur nga qeveria. A ka moral opozita të sulmojë qeverinë në këtë aspekt? Në cilin rast opozita ka ndërmarrë fushatë mbështetje, mbrojtje, apo solidariteti ndaj një gazetari që është pushuar nga puna apo ndaj një media që është sulmuar nga qeveria? Dikush mund të thotë “po, e ka bërë”.

E vërtetë, por ato raste janë shumë shumë pak për një opozitë. Për të mos thënë se edhe në ato pak raste kjo opozitë e ka bërë për një interes shumë të ngushtë të saj për të përfituar vetë dhe jo për parimet e lirisë së medias. A ka bërë ndonjëherë kjo opozitë një rezyme të situatës së medias që po kalon vendi?

Asnjëherë. Në cilin rast opozita ka ngritur zërin për largimin nga puna pa arsye të gazetarëve në institucionet mediatike private për të mos folur për median e vetme publike? Në asnjë rast dhe kjo e bën me një faj moral të rëndë këtë opozitë.

Në cilin rast kjo opozitë ka treguar solidaritet dhe mbështetje ndaj gazetarëve që janë sulmuar dhe denigruar? Në ato pak raste, ajo e ka bërë dukshëm vetëm për interes të ngushtë. Kjo bën që kjo opozitë të jetë larg medias, të mos jetë solidare me të, rrjedhimisht të jetë po aq problematike sa edhe qeveria sepse të lë përshtypjen se kur të vijë në pushtet do të sillet siç sillet qeveria.

 

MEDIA PËRBALLË VETES

Problemi i tretë por që në fakt rezulton akoma më i rëndësishëm se dy të parët është raporti i medias me vetveten. Komuniteti i medias në Shqipëri rezulton më i paorganizuari. Ne jemi në kategorinë e katërt dhe të para edhe për faktin se në Shqipëri media dhe komuniteti i gazetarëve nuk ka solidaritet.

Nuk ka organizata të mirëfillta që të mbrojnë dhe mbështesin gazetërët. E vetmja, Unioni i Gazetarëve, është e pamjaftueshme përballë 1 mijë problemeve. E nisim nga ajo më e thjeshta: Kur një gazetar pushohet nga puna nuk reagon kush. Nën moton “çmë duhet mua” është krijuar një zinxhir aq i gjatë saqë tashmë mosreagimi është kthyer në normalitet.

Më e rëndë akoma është kur sulmohet një gazetar nga instancat shtetërore. E shumta ky gazetar mbrohet nga dy tre shokë edhe ata të guximshëm dhe me karakter. Të tjerët thjesht rrinë e vështrojnë, por kur bëhen edhe ata pjesë e sulmeve të këtij lloji, habiten se si për ta nuk reagon kush. Por kryedëmi që i është bërë gazetarisë në këto vite është humbja e hierarkisë së vlerave. Sot nuk ka asnjë institucion mediatik të specializuar që të ndajë vlerën nga antivlera, etikën nga antietika.

Çdokush mund të bëjë gazetari në mënyrën e vetë pa zbatuar rregullat më elementare të gazetarisë. Kjo krijon një vorbull që në fund fundos të gjithë vlerat pozitive të këtij komuniteti. Fenomeni i gazetarisë “sipas burimeve të mia” dhe pas kësaj çdo gazetar mund të thotë ç’të dojë, e ka bërë të pabesueshme median shqiptare duke i ulur asaj në mënyrë drastike besueshmërinë. Sipas një studimi të fundit nga Eduard Zaloshnja, 95 për qind e parashikimeve të gazetarëve vetëm në javën që kaloi rezultuan të gabuara.

Gazetarë në studio që bënin garë duke thënë se brenda 2-3 ditëve Ilir Meta do të arrestohet kaloi çdo normë e parim të gazetarisë. Kishte nga ata që përbetoheshin se dinin datën, ditën, orën dhe e thoshin këtë pa asnjë dridhje qerpiku. Kaluan 10 ditë dhe asgjë nuk ka ndodhur. As Meta nuk u arrestua dhe as gazetërët që e kanë thënë këtë nuk ndjehen të turpëruar. Epo kjo e fundos profesionalisht gazetarinë shqiptare. Për të kaluar te gazetaria e peshave të rënda, gazetaria investigative.

Sot në Shqipëri është shumë e vështirë të ndash një punë të mirë investiguese të një gazetari profesionist dhe të ndershëm nga një gazetar që vendos gjoba ndaj një biznesi apo edhe ndaj individëve të caktuar. Kjo ka sjellë një perceptim të rëndë në publik se çdo investigim nga pas ka një interes për gjobë. Kjo e fundos gazetarinë në Shqipëri. Një tjetër fenomen është edhe vetëshpallja e gazetarëve.

Nuk ka asnjë vend në botë që dikush të quhet gazetar edhe pse nuk ka shkruar një lajm në jetë. Që të mos ketë bërë qoftë një intervistë në jetë, qoftë një kronikë apo një reportazh. Por në Shqipëri mjafton që një pronar televizioni të japë drejtimin e një emisioni dhe çdokush vetëquhet gazetar. Më pas ai apo ajo arrijnë të japin edhe leksione se si bëhet media, ndërsa gazetarët e vërtetë që kanë një jetë që e bëjnë profesionalisht këtë profesion u mbetet të shpojnë gishtat.

Kjo jo vetëm shkatërron hierarkinë e medias, por më e rënda është se jep një model të keq se si bëhet gazetaria. Të gjitha këto përbëjnë ata që quhet mëkatet tona të gazetarisë. Mëkate të cilat i bëjmë dhe i kemi ne vetë. Që sigurisht kanë ndikuar edhe në raportin e “Reporterëve pa kufij”, raporti më i keq në historinë e medias në këto 34 vjet.