Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka theksuar edhe një herë se ka kërkuar vetë të shkojë në SPAK për të folur mbi çështjen e incenaratorëve. Po ashtu ai ka shpjeguar edhe përdorimin e fjalës “kolegë” për prokurorët e SPAK. Ndërsa ka thënë se nuk është takuar kurrë me Shkëlzen Berishën, që është pretenduar se janë parë bashkë
Kryetari i Bashkisë Tiranë u thirr për herë të parë në SPAK për çështjen e inceneratorëve. Veliaj insiston se ka kërkuar vetë të dëshmojë para Prokurorisë së Posaçme, edhe pse më pas u publikua fletthirrja. “Deri tani ka qenë tabu që autoritet të bashkëpunonin dhe janë parë si armiqësore.
Është normale që autoritet të kenë nevojë të sqarohen. E kam kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un për një palë që s’ka asnjë kompleks dhe ka shprehur gatishmëri. Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është jo një njeri që respekton ligjin, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë organet e drejtësisë”, është shprehur Erion Veliaj. Pasi dol inga SPAK, para një jave, Veliaj dha një deklaratë e cila u përdor mediatikisht, ndaj ai u detyrua të jap versionin e tij për fjalën “kolegë”.
Ai i quajti prokurorët kolegë, edhe pse deri më sot nuk gjendet asnjë lidhje mes Veliajt dhe jurisprudencës. “Unë i quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëz që janë angazhuar në një vokacion publik sepse ka një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë. Një njeri duhet të jetë konsistent, s’mund të them një herë “rroftë SPAK-u” dhe më pas të degjeneroj këtë institucion. Normalja e re duhet të jetë e njerëzve që bashkëpunojnë”, tha Veliaj.
A është takuar Veliaj me Berishën?
Një deklaratë e gazetarit Ylli Rakipi se disa kohë më parë kishte parë në një restorant Shkëlzen Berishën dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj ka sjellë reagimin e këtyre të fundit. Fillimisht ishte djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili hodhi poshtë ato çfarë tha gazetari Rakipi në emisionin e tij.
“Në respekt të vërtetës dhe të opinionit me duhet të sqaroj se nuk jam takuar kurrë me personin në fjalë askund dhe asnjëherë. Me Erion Veliajn me lidh vetëm neveria ndaj shpifjeve të adresuara nga ai ndër vite, ndaj meje, fëmijëve dhe familjarëve të mi”, shkruante Shkëlzen Berisha.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe kryebashkiaku Veliaj, që gjithashtu e përgënjeshtroi një takim me djalin e ish-kryeministrit Berisha. “Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë.
Ai ishte një vit mbi mua. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë. Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në oborr pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit”, tha Veliaj.