Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja do të dal para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të japë llogari për pyetjet që ka Partia Demokratike e Lulzim Bashës për Amnistinë Penale. Sipas PD janë 100 të dënuar nga SPAK që kanë përfituar lirinë nga marrëveshja Rama-Bardhi
Interpelanca e kërkuar nga Partia Demokratike për Amnistinë Penale do të zhvillohet sot në Kuvendin e Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i tha “po” kërkesës së Partisë Demokratike për tu pyetur mbi përfituesit nga amnistia. Opozita pretendon se janë 100 persona të cilët kanë fituar lirinë edhe pse kanë qenë të dënuar nga SPAK.
Zotimi i Ulsi Manjës, por edhe i Gazmend Bardhit, i cili dha me të vetët votën “pro” amnistisë ishte se nga ky “humanizëm” nuk do të kishte asnjë person të dënuar nga SPAK që do të përfitonte lirinë.
Ministri Manja është përgatitur për këtë interpelancë dhe ka publikuar në rrjetin e tij social një foto duke punuar me mbishkrimin: “Gati për interpelancën…që nuk ka asgjë urgjente!”. Partia Demokratike akuzon mazhorancën dhe Rithemelimin për pazare me amnistinë penale, duke thënë se e kanë bërë për të liruar zyrtarët e korruptuar. “Pse Manja pret deri të enjten nëse i ka përgjigjet, se është kapur me presh në duar, duke gënjyer. Manja nuk ka gënjyer nga halli se i ndodhi kjo papritur.
Manaj ka planifikuar lirimin e dhjetëra deri në 100 të dënuar për korrupsion nga GJKKO siç është bërë publike nga kolegët tuaj, ne kemi kërkuar informacion me emër dhe mbiemër ata që kanë përfituar nga amnistia në kushte kur kanë qenë të dënuar nga GJKKO për korrupsionin.
Sapo ti kemi këto të dhëna do i ndajmë me ju. Kolegët tuaj të dy mediave të njohura si media të mbështetura dhe trajnuara nga faktori euroatlantik kanë publikuar se 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan”, tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike tha se Manja po i bën kërshillik SPAK për luftën ndaj korrupsionit. “Pse shkon bën hipokrizi te SPAK dhe u thotë luftoni korrupsionin, kur ka liruar të korruptuarit me një grup njerëzish që kanë humb çdo sens politik, pse do presë deri të enjten, u përdor politikisht për të bërë favore duke liruar zyrtarë të korruptuar të kësaj qeverie, për tu mbyllur gojën me kodin e heshtjes dhe për t’iu lëshuar një mesazh të tjerëve që janë në qeli ose presin të shkojnë në qeli.
Asgjë më pak se një atentat kundër reformës në drejtësi. Ky është korrupsioni më i lartë që mund të ndodhë në një vend. Kapen me presh në duar duke vjedhur, vjedhin dënohen për vjedhje, i lirojnë dhe pastaj bëjnë sikur s’ka ndodh asgjë, kjo hipokrizi duhet të marrë fund me çdo çmim,.
Kjo është një kauzë për PD, do ishte çmendur dhe e dyshimtë nëse PD s’do qëndronte fort në këtë çështje”, tha Basha.