Dumani 5 orë “dëshmi” në Parlament, “ditë të zeza” për të korruptuarit

Kreu i SPAK, Altin Dumani paralajmëroi të tjera lajme tronditëse për pushtetarët e lartë të korruptuar. Për gati 5 orë, numri një i anti-korrupsionit raportoi ditën e djeshme para deputetëve të komisionit të Ligjeve në një seancë dëgjimore lidhur me aktivitetin e prokurorisë së Posaçme për vitin 2023, por dhe për dosje të bujshme të cilat janë në hetim nga SPAK.

I pyetur nga deputeti demokrat, Dashnor Sula, nëse ka politikanë që kanë përdorur aplikacionin Sky EÇ, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se nuk mund të prononcohet, por ka çështje në hetim. Dumani, u pyet edhe për çështjen e Sali Berishës, i cili sfidoi masën e sigurisë derisa u la në “arrest shtëpie” lidhur me këtë çështje, Dumani u shpreh se askush nuk mund të sfidojë drejtësinë dhe se nuk është peng i askujt.

Kreu i SPAK tha gjithashtu se duhet bërë diferenca me ata zyrtarë të policisë që vërtetë luftojnë krimin, por tha se është ulëritëse se si disa prej zyrtarëve të policisë bashkëpunojnë me krimet që kryejnë organizatat kriminale. Për vitin 2023, Dumani tha se SPAK ka regjistruar 70 procedime penale për oficerët e policisë.

“Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin në krimet që krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik, Bistri, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh, nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë, ne me policinë e Shtetit bashkëpunojmë çdo ditë, kemi hetime të përbashkëta”, tha Dumani.

 

Kërcënimet ndaj prokurorëve

Kreu i SPAK, Altin Dumani pranoi se prokurorët janë kërcënuar nga krimi i organizuar. Vlerësoi ndryshimet që janë bërë sa i takon vendimit të këshillit të ministrave lidhur me mbrojtjen e tyre, por vërejti se ka problematikë tek mbrojtja e familjarëve të tyre.

Nga ana tjetër Dumani deklaroi në Komisionin e Ligjeve se po bëhen hetime investime për Inceneratorin e Tiranës. Dumani tha se asnjë para nuk shkon për pronarët, por shkojnë tek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Sipas Altin Dumanit bankat dhe bizneset shqiptare po përdoren si ndërmjetës nga organizatat kriminale ndërkombëtare për pastrimin e parave në vendin tonë. Dumani tregoi se mënyra kryesore për pastrimin e parave mbetet investimi në prona të luajtshme dhe të paluajtshme në Tiranë dhe në zonat turistike si Durrësi, Vlora dhe Lezha.

“Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve.

Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.

Lexo edhe :  Zbulohen emrat e Partisë Socialiste për komisionet parlamentare

Një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për ti dhënë akses përfaqësues të mafiasndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të tranferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit.

Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, tha Dumani.Ndërsa për ‘kokat e krimit’ që kanë gjetur strehim në Dubai, Dumani u shpreh se kjo është një çështje mjaft problematike, e cila deri tani nuk ka gjetur zgjidhje.

Ai theksoi se ky problem është adresuar, por shton se me të njëjtin shqetësim, janë duke u përballur edhe shtete të tjera europiane.

Altin Dumani nuk ia ka ‘besën’ askujt: Jemi me kambanë alarmi edhe brenda vetes

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani, u pyet në lidhje me hetimet që janë ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme, për njerëzit e drejtësisë që janë përjashtuar nga Vetingu.

Dymani tha se SPAK ka arrestuar vitin e kaluar një prokuror në detyrë, dhe ka vëmendje të shtuar edhe ndaj zyrtarëve që kanë kaluar Vetingun. “Sa i takon luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, sa i përkon prokurorëve apo gjyqtarëve të shkarkuar, e përmenda edhe më parë, ne juridiksionin e kemi të kufizuar, të çosh për gjykim 4 gjyqtarë, ndër të cilët dy të gjykatës së lartë dhe dy të kushtetueses, nuk janë pak në vlerësimin tonë.

Për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, thashë që ne edhe nga ato vendime, kemi regjistruar duke marrë indicie nga vendimet e KPK-së, ku kemi nuhatur që mund të kemi edhe një vepër penale me natyrë korruptive. Nuk është përgjegjësi vetëm e SPAK që të hetojmë këtë kategori subjektesh.

Jam më shumë i shqetësuar me ata që e kanë kaluar vettingun dhe vazhdojnë në sistem që mund të ndeshemi para personave me natyrë korrptive. Ky është shqetësimi më i madh dhe këtu jemi të vëmendshëm edhe nga mediat, shoqëria civile dhe politika kur ka denoncime.

Ne përpiqemi të mbajmë shënime, bëjmë vlerësimet tona paraprake. Edhe vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë dhe ish gjyqtarë dhe ish prokurorë. I kemi në vëmendje dhe jemi të fokusuar. Të pranojmë që kaluam vettingun dhe nuk do të korruptohen gjyqtarë dhe prokurorë është etopi.

Jemi të ekspozuar. Ne si institucion vazhdojmë të jemi të vëmendshëm. Do të vijmë edhe me raste konkrete. Edhe sa i takon brenda SPAK, jemi të vëmendshëm.

Ne kemi dhe një proces vettingu që funksionon brenda institucionit. Janë vetuar 60 veta vitin e kaluar, nga këta 1 është larguar. Kemi 9 të dorëhequr. Jemi me kambanë alarmi edhe brenda vetes SPAK”, tha Dumani.