inistria e Arsimit ka nisur një iniciativë të rëndësishme për ndryshimin dhe modernizimin e teksteve shkollore, me synimin për të përmirësuar kurrikulën shkollore që pritet të implementohet nga viti 2025. Ky ndryshim synon të pasurojë dhe përditësojë përmbajtjen e materialeve mësimore për të përmbushur nevojat e kohës dhe të integruar zhvillimet e fundit në arsim.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka theksuar se grupi i punës është duke analizuar tekstet e tanishme dhe po punon për përmirësimin e programeve mësimore në një masë deri në 20%. Fokus i veçantë do të jetë në përmirësimin e shkencave dhe degëve shoqërore, si dhe në modernizimin e lëndëve të gjuhës shqipe dhe matematikës.
“Jemi duke analizuar dhe vlerësuar të gjithë tekstet aktuale dhe planifikojmë që të përfundojmë këtë proces deri në dhjetor. Reforma që ndërmorrëm në vitin 2014 kërkon një përditësim për të përmbushur nevojat e reja të teknologjisë dhe edukimit,” tha Manastirliu.
Pjesë e reformës do të jetë edhe ristrukturimi i lëndës së edukatës, duke përfshirë informacione të reja mbi luftën kundër korrupsionit dhe edukimin qytetar. Edukimi qytetar do të pasurohet me module të reja dhe do të rishikohen konceptet ekzistuese për të përfshirë aspekte si njohja e terminologjisë ligjore dhe çështje të integritetit. Për më tepër, do të trajtohen edhe tema si edukimi mediatik, edukimi digjital dhe bullizmi online.
“Përmirësimi i kurrikulës është një përgjigje ndaj ndryshimeve të mëdha teknologjike dhe nevojave të reja në arsim. Ne duam që nxënësit të jenë të përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe të kenë aftësitë e nevojshme për të përballuar realitetin e sotëm,” theksoi Manastirliu.
Me këto ndryshime, Ministria e Arsimit synon të ofrojë një arsim më të avancuar dhe të përmbushë standardet e nevojshme për të përgatitur më mirë nxënësit për sfidat e kohës moderne./kb