Hetimet nga SPAK/ Rama, Escobar, Kim, tre “armiqtë e jetës” së Berishës

Hetimet nga SPAK

Rama, Escobar, Kim, tre “armiqtë e jetës” së Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon të përplaset me diplomacinë amerikane, duke akuzuar Gabriel Escobar dhe Yuri Kim për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe për nxitjen e një procesi të motivuar politikisht kundër tij nga SPAK. Berisha, i cili ndodhet nën hetim për korrupsion, e konsideron këtë veprim si një përpjekje për të shkatërruar figurën e tij dhe për të përmbushur agjenda të caktuara politike në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka drejtuar një tjetër sulm të ashpër ndaj diplomatëve të lartë amerikanë, konkretisht Gabriel Escobar dhe ish-ambasadores në Shqipëri, Yuri Kim. Në një deklaratë të bërë për mediat, Berisha i akuzoi të dy diplomatët si të korruptuar, duke pretenduar se ata kanë bërë presion mbi institucionet shqiptare për nisjen e procedurave gjyqësore kundër tij nga SPAK. Berisha është akuzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën gjatë kohës që ka shërbyer si kryeministër i vendit. Sipas tij, ky proces nuk është asgjë më shumë sesa një “piramidë mashtrimi” e ndërtuar për të shkatërruar figurën e tij dhe për të përmbushur agjenda politike të kundërshtarëve të tij, përfshirë kryeministrin aktual Edi Rama. Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar se kërkesa për fillimin e hetimeve ndaj tij ka ardhur menjëherë pas Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dy vite më parë. Ai akuzoi Ramën se, gjatë asamblesë së partisë, kishte bërë thirrje publike për ndjekjen penale të tij. “Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej,” u shpreh ish-kryeministri. Berisha u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe u njoh me akuzën, e cila sipas tij është një tjetër formë e presionit politik për ta diskredituar atë. Ai vazhdon të mbajë qëndrimin se e gjithë kjo është një konspiracion për të minuar ndikimin e tij në politikën shqiptare dhe për të mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij. “Këto veprime të paprecedenta janë pjesë e një piramide mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh, e cila do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një nga aktet më të turpshme të epokës së narkoshtetit,” tha Berisha, duke përdorur retorikën e tij të zakonshme për të përshkruar situatën politike në vend. Sipas Berishës, ky proces është i motivuar politikisht dhe përfaqëson një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si deputet dhe si qytetar. “Vendimi për arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit me personat e afërt dhe ndalimin e pjesëmarrjes në parlament është një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,” përfundoi ai.