Polemikat për “shtetin Bektashi”, Rama tërhiqet përkohësisht
Kreu i qeverisë hedh poshtë zërat për një “ndikim Sorosian” apo serb mbi nismën e tij në krijimin e “shteti Bektashi” në Tiranë. Kryeministri edhe pse mbrojti nismën deklaroi se nuk do ketë ngut në realizimin e saj.
Kryeministri Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku zhvilloi një takim me Diasporën ka hedhur poshtë me forcë spekulimet dhe komentet mbi krijimin e një të ashtuquajturi “shtet Bektashi”, duke i cilësuar këto pretendime si “idiotësi”. Në një prononcim publik, Rama theksoi se komuniteti Bektashi është një nga katër komunitetet kryesore fetare në Shqipëri dhe se ruajtja e tij përbën një interes të lartë kombëtar. Ai nënvizoi se Bektashinjtë janë një Urdhër që përfshin njerëz në të gjithë botën, jo vetëm shqiptarë, dhe se përkrahja për ta është e kufizuar në krahasim me komunitetet e tjera fetare në vend, si ai mysliman, ortodoks dhe katolik. “Të tre këto komunitete marrin mbështetje maksimale dhe kanë të ardhmen e garantuar,” tha Rama, duke shtuar se për komunitetin Bektashi situata është krejt ndryshe dhe se ky Urdhër përballet me sfida të mëdha për të siguruar vazhdimësinë e tij. Kryeministri e quajti “çudira” pretendimet se iniciativa për përkrahjen e këtij komuniteti ka lidhje me krijimin e një “shteti islamik” apo “shteti ortodoks në Kosovë”. Ai shprehu shqetësimin e tij për padijen që ekziston mbi rolin historik të Urdhrit të Bektashinjve në Shqipëri, duke kujtuar rëndësinë që ky komunitet ka pasur dhe vazhdon të ketë për kombin shqiptar. Komuniteti bektashi nuk e ka këtë mbështetje dhe unë po ju them se për pak dekada nuk do të ketë më një sistem me të gjithë figurat që duhet të ketë, sepse fuqia për ta prodhuar brezin tjetër nuk është. Të tjerët i shkollojnë imamët dhe priftërinjtë në plot vende të Botës, po këta ku do i shkollojnë? Entiteti sovran do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në maksimum. Ata janë në pronën e tyre, i kanë pasur denbabaden. Kanë një status si një seli diplomatike, çjanë këto që krahasime me “shtet islamik”? Është për të qeshur dhe për të qarë, por në rastin konkret është për të qarë, mbi ato që fantazohet. Thuhen idiotësi të tilla sikur kjo është lojë e Serbisë, që kjo do të bëhet këtu, që pastaj të ngrihet shteti ortodoks në Kosovë. Që të kuptohet mirë biseda unë do ju sugjeroja që të hapni librat e historisë të Urdhrit të Bektashinjve, të Naim Frashërit. Nuk besoj se Naimi ka qenë agjent i Soros, nuk ma do mendja që ka qenë i blerë nga Vuçiç, dhe atje të shikojnë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri”, tha Rama. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje të gjithë skeptikëve të lexojnë historinë e Urdhrit të Bektashinjve dhe të figurave të shquara si Naim Frashëri. Në fund, ai theksoi se është për të ardhur keq që debati mbi këtë çështje është mbushur me spekulime dhe keqkuptime të cilat nuk i shërbejnë askujt. Para këtij qëndrimi Rama publikoi edhe një status në gjatë në platformën “X”, ku la të kuptohej se në një lloj mënyre mund të tërhiqet përkohësisht nga kjo ide, pikërisht për të shmangur atë që ai I quajti si “keqkuptime” dhe mbi të gjitha është njohur me reagimet kundra në një masë të madhe. Sipas kryeministrit Rama, “ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”. Rama fton kundërshtarët e kësaj ideje që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, – pasi siç thotë ai- kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë. “Gjithësesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”, shkruan Rama. Pikërisht fraza e fundit që nuk ka “ngut” për këtë çështje e le situatën përkohësisht në një lloj qetësie, por ideja nuk mund të quhet e mbyllur, pavarësisht shumë polemikave dhe reagimeve që kanë ardhur pasi studiues të njohur, analistë dhe njohës të religjoneve e konsiderojnë nismën e Ramës për ti dhënë statusr të veçantë Bektashinjëve sit ë rrezikshme që nxit frymë përçarëse dhe prish raportet mes besimeve dhe sidomos harmoninë fetare.