“Asgjësohet” opozita, 24 deputetë paditen në SPAK

Në një klimë të përshkallëzuar tensionesh politike, Partia Demokratike po përballet me një krizë të rëndë që po e çon në prag të “asgjësimit politik”. 24 deputetë demokratë dërgohen në SPAK për akuza që përfshijnë përfshijnë, goditje për shkak të detyrës dhe shkatërrimin e pronës me zjarr. Kallëzimi në Prokurorinë Speciale u bë pas tensioneve në Parlament këtë të hënë, ku opozita protestoi pas dënimit me një vit burgim të deputetit Ervin Salianji.

Opozita shqiptare po përballet me sfida të mëdha që rrezikojnë vetë ekzistencën e saj. Pas dënimit të deputetit Ervin Salianji, i cili sot është duke vuajtur në burgun e Fierit vendimin e Gjykatës së Apelit, tensionet në kampin opozitar u rritën ndjeshëm. Protestat e dhunshme që pasuan këtë vendim, përfshirë djegien e karrigeve jashtë sallës së Parlamentit, nuk kanë mbetur pa pasoja. Më shumë se 24 deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj përballen tani me ndjekje penale. Mazhoranca, e cila ka dënuar ashpër sjelljen e kolegëve të saj, ka ngritur procedura ligjore kundër tyre duke i dërguar akuzat në SPAK. Ndër të akuzuarit, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, përballet me akuza për “Shkatërrim të Pronës me Zjarr” dhe “Goditje për shkak të detyrës”. Ai është ndër figurat më të rrezikuara nga ky proces, ndërsa deputeti Bledian Nallbati, për aktin e djegies së karrigeve, përballet me akuzën e shkatërrimit të pronës. Përveç tyre, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, është në hetim për hedhjen e një karrigeje ndaj kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Pasojat financiare

Ndërkohë, mazhoranca ka marrë masa edhe në nivel disiplinor, duke kërkuar përjashtimin e 24 deputetëve nga punimet e Kuvendit. Komisioni i Etikës pritet të vendosë për përjashtime që mund të variojnë nga 10 deri në 60 ditë. Deputetët protestues akuzohen për “cënim të vlerave parlamentare”, dhe për pengimin e funksioneve të Kuvendit. Përveç ndjekjes penale, opozita përballet edhe me një goditje financiare. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka bërë të qartë se dëmet e shkaktuara nga djegia e karrigeve do të mbulohen nga pagat e deputetëve të përfshirë. Karriget e djegura, theksoi Spiropali, janë pronë e popullit shqiptar, e blerë me taksat e qytetarëve, dhe çdo dëmtim i tillë do të ketë pasoja konkrete. Pavarësisht goditjeve të vazhdueshme nga mazhoranca dhe ndjekjeve penale, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të qartë se opozita nuk do të ndalet. Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se mosbindja civile do të vazhdojë me intensitet të lartë, dhe deputetët e opozitës janë të gatshëm për çdo sakrificë në përballjen me qeverinë Rama. “Opozita është e vendosur ta çojë gjer në fund këtë betejë”, tha Berisha, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një “narkodiktaturë” që ka kapur çdo institucion të shtetit. Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, Berisha i bëri thirrje simpatizantëve të opozitës për të marrë pjesë në një protestë masive më 7 tetor, duke paralajmëruar një përballje të re me qeverinë. Berisha gjithashtu kërkoi krijimin e një komisioni të së vërtetës për të hetuar lidhjet e dyshuara të qeverisë me krimin e organizuar, duke përfshirë partnerë ndërkombëtarë në këtë proces. Në reagim ndaj protestës së dhunshme, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin e deputetëve demokratë nga seancat plenare dhe komisionet, me masa që mund të zgjasin deri në 60 ditë. Kjo kërkesë është firmosur nga 11 deputetë socialistë dhe drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Socialistët kanë argumentuar se veprimet e deputetëve të opozitës kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kuvendit dhe kanë penguar funksionimin normal të tij.

Lexo edhe :  Gjykatën e Lartë rrëzon kërkesën, ish-kryebashkiaku Veliaj ngelet në burg

Një opozitë në Kaos

Me një opozitë në kaos dhe një qeveri që duket e vendosur të mos tolerojë sjellje të dhunshme, situata politike në Shqipëri është bërë gjithnjë e më e tensionuar. Si do të përballen deputetët e PD-së me akuzat e rënda ndaj tyre dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo në të ardhmen e politikës shqiptare mbetet një çështje e hapur. Ndërkohë, thirrjet e Berishës për mosbindje civile dhe protestat e ardhshme tregojnë se ky nuk është fundi i betejës politike. Por nëse veprimet e fundit janë një tregues i drejtimit të ardhshëm, opozita mund të gjendet përballë një asgjesimi të plotë, ndërsa mazhoranca duket më e vendosur se kurrë për të ruajtur kontrollin.