Partia Socialiste kërkon të përjashtojë gati gjysmën e deputetëve të Partisë Demokratike pas së hënës së nxehtë në Kuvend, ku iu vu zjarri karrigeve duke sjellë një pamje të pazakontë nga dyert e institucionit ligjvënës.
Për këtë arsye Komisioni i Etikës mblidhet sot në orën 15:00 për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve për përjashtimin e 24 deputetëve.
Ndërkohë që 23 deputetë të opozitës janë dërguar nga Policia e Tiranës në SPAK për ngjarjet e ndodhura në Kuvend.
Brenda sallës së Parlamentit teksa zhvillohej seanca plenare u shënuan përplasje me Gardën, ndërsa deputetët e opozitës hodhën sende të forta edhe në drejtim të kryeparlamentares, Elisa Spiropali. Më pas ata morën karriget e tyre dhe i nxorën jashtë Parlamentit, duke iu vënë zjarrin në oborr. Flamur Noka, Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati dhe 20 deputetë të tjetër të PD dhe partive opozitare akuzohen për shkatërrim të pronës me zjarr dhe goditje për shkak të detyrës, parashikuar nga nenet 151 dhe 237 të Kodit Penal. S.B