Vlora ishte qyteti që mori goditje të madhe në dëme materiale të shkaktuara nga rreshet e dendura të shiut që pushtoi vendin pasditen e së premtes. Qyteti ende nuk i është rikthyer normalitetit, ndërsa punonjës të bashkisë dhe ushtrisë po punojnë për pastrimin nga mbetjet e ngurta dhe hapjen e kanaleve. Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa pritet që me kalimin e ditëve të nisë procesi i vlerësimit dhe më pas procedurat e dëmshpërblimit.
Vlora nuk i ka shpëtuar ende pushtteit të ujit, ndërsa qeveria lokale ende nuk ka filluar punën për dëmshpërblimin e famlijeve dhe të bizneseve që kanë humbur shumë ose gjithçka. Ende nuk është larguar uji nga garazhet dhe trotuaret, dhe akoma bizneset nuk kanë bërë dot një bilanc se kush është dëmi material që shkaktoi moti por edhe mbyllja e kolektorave nga ndërtimet informale. Edhe pas ndërhyrjes së Ministrisë së Mbrojtjes ende nuk i është kthyer normaliteti qytetit dhe njerëzit kanë hapur duart për tu dëmshpërmblyer nga shteti. Ermal dardha, Kryetari i Bashkisë së Vlorës ka bërë thirrje për durim dhe ka siguruar qytetarët se autoritetet po bëjnë gjithçka të mundur për të përballuar situatën. Ai ka theksuar se ekipet e emergjencës janë në terren, duke punuar për të larguar ujin nga zonat e prekura dhe për të rikthyer sa më shpejt jetën e qytetit në normalitet. Gjithashtu, është kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore për të mbështetur përpjekjet lokale në përballimin e pasojave të stuhisë dhe për të ofruar ndihmë financiare për familjet dhe bizneset e dëmtuara. Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se janë aktivizuar njësitë e emergjencës civile dhe forcat e ushtrisë për të ndihmuar në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara dhe për të ofruar ndihmë logjistike për zbutjen e situatës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. Ndërkohë, njoftohet po ashtu se po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve. Në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme. Mbrojtja njofton gjithashtu se në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë. Reshjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah problemet e vazhdueshme infrastrukturore me të cilat përballet Vlora. Sistemet e kanalizimeve të vjetëruara dhe mungesa e investimeve në infrastrukturën urbane kanë bërë që shumë zona të qytetit të mos jenë në gjendje të përballojnë vëllimin e madh të ujit. Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e masave parandaluese dhe kanë kërkuar nga autoritetet që të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për të riparuar dëmet dhe për të përmirësuar sistemet e kanalizimeve dhe të menaxhimit të ujërave.