Dorëheqja e kryeministrit të Francës, Michel Barnier, ka detyruar Presidentin, Emmanuel Macron t’i drejtohet kombit francez me një fjalim prej afro 11 minutësh, në të cilën u përpoq t’i shprehte të gjitha.
Macron u zotua të zgjidhë ngërçin politik dhe të emërojë një kryeministër të ri në ditët në vijim.
“Ne nuk mund të përballojmë mosveprim. Në ditët në vijim do të emëroj një kryeministër që bashkon forcat politike. Unë do ta ngarkoj atë për formimin e një qeverie me interes të përgjithshëm që përfaqëson të gjitha forcat politike të një harku qeverisjeje që mund të marrë pjesë në të ose, së paku, që merr përsipër të mos e censurojë”, tha Macron.
Për të gjithë kundërshtarët e tij, të cilët në këto momente krize për politikën franceze, i kërkuan të largohet nga posti i Presidentit, Macron iu përgjigj me vendosmëri se nuk do të largohej nga detyra.
“Unë do të nderoj mandatin për të cilin më zgjodhën francezët deri në ditën e fundit. Përgjegjësia për rënien e qeverisë Barnier dhe dështimin për të lëvizur “nuk është e imja, por e parlamentit. Unë jam zgjedhur në mënyrë demokratike për një mandat 5-vjeçar dhe do të qëndroj deri në fund”, shtoi presidenti.
Macron e përfundoi fjalimin e tij duke theksuar forcën e Francës dhe duke bërë thirrje për unitet. “Aty ku vendi është i cenueshëm, ai duhet të rindërtohet. Kudo që ka sjellje të dobët, ne duhet të rifusim mençurinë dhe kudo që ka vend për ankth dhe dëshpërim, ne duhet të sjellim shpresë”, tha ai.
Macron gjithashtu i kujton kombit francez rihapjen e kësaj të shtune të katedrales së famshme Notre-Dame të Parisit, e shkatërruar nga zjarri disa vite më parë, dhe gjithashtu flet për suksesin e Lojërave Olimpike të kësaj vere në kryeqytetin francez.
Të mërkurën, Asambleja Kombëtare franceze rrëzoi qeverinë e Michel Barnier, një gjest i paprecedentë që nga viti 1962, i cili e zhyt vendin në një periudhë pasigurish të forta politike dhe financiare.
Qeveria, e cila kishte marrë përgjegjësinë e saj të hënën në bazë të nenit 49 paragrafi 3 i Kushtetutës për miratimin pa votim të buxhetit të sigurimeve shoqërore, u rrëzua nga 331 deputetë, ndërsa Tubimi Kombëtar kishte zgjedhur të votojë mocionin e mosbesimit të paraqitur nga e majta./e.t