Pas 1 viti e gjysmë që u miratua ligji në Parlament, qeveria përcaktoi dje kriteret dhe rregullat e forta për kultivimin e sipërfaqeve me kanabis sativa për qëllime mjekësore.
Në VKM përcaktohen rregullat e lëvizjes së mjeteve të transportit të lëndëve të para që duhen për këtë qëllim, bashkë me planin e sigurisë.
Sipas vendimit të qeverisë, bima narkotike mund të mbillet në ambiente të hapura ose të mbyllura, por ato duhet të jenë të monitoruara 24 orë dhe duhet të ketë roje që të ruajnë këto hapësira.
Kamerat dhe rojet, bashkë me ngritjen e një serveri për ruajtjen e pamjeve për 1 vit, janë edhe disa nga kriteret e licencimit për kompanitë që do të ushtrojnë këtë aktivitet.
Një tjetër kriter që do duhet të plotësohet ka të bëjë me ruajtjen fizike të ambienteve ku do të kultivohet kanabisi, ku VKM përcakton se ambientet duhet të rrethohen me mure të larta deri në 4 metra me tela me gjemba.
Transportimi i kanabisit mjekësor do të bëhet vetëm me mjete të mbyllura dhe me shoqërimin e Policisë së Shtetit nga njëra pikë në një tjetër./ S,M