Dosjet e nxehta të politikës, Berisha-Meta, krimi i organizuar dhe operacioni më i fundit i SPAK për sekuestrimin e 10 mln eurove pasuri në kriptomonedha të familjes Çopja në Elbasan ishin disa nga temat e tjera të analizës dhe diskutimit në një studio televizive.
Avokati Edmond Petraj e cilësoi punën e SPAK deri tani si pozitive, korrekte dhe voluminoze, teka theksoi se të gjithë do shkojnë në SPAK. Çështjen e Berishës e cilësoi delikate për 21 Janarin, pasi tha se e shikon të shqetësuar, kurse për Metën u shpreh se problematikë ka çështjen e pasurisë dhe jo të lobimit, teksa rrezikon deri në 15 vite burgim
“Të gjithë do shkojnë në SPAK. Dumani i rezervuar për hetimet, po bën një punë korrekte. M’u duk shumë i kujdesshëm në ato që tha, edhe pse media këmbënguli t’i shkëpuste më shumë. Ilir Metën e shoh të qetë. Ai është i qartë në atë që ka hetimi. E rëndon hetimi pasuror mesa kuptoj. Lobimi jo përfitim i jashtëzakonshëm në çështje, por do varet nga procedura dhe hetimi i mëtejshëm. Veprat penale do varen nga hetimi dhe çfarë do ketë në fund të akuzës, por varion nga 10-15 vite”, thotë ai.
Por shton se ky hetim nuk e pengon që të angazhohet në zgjedhje si kandidat.
“I lejohet të kandidojë për deputet, nuk përbën element pengese. Nga ana proceduriale ai lirohet, të shkojë të bëjë betimin. Do shkoj ta bëjë betimin dhe kthehet, të paktën deri në momentin që nuk ka përfunduar hetimi”.
Kurse për ish-kryeministrin shpjegoi se çështja e aferës “Partizani” ka mbetur tek seanca paraprake, por shqetësim për të përbëjnë çështjet e tjera që janë hapur dhe do hapen, si 21 Janari, për të cilin tha se e sheh të shqetësuar kreun e PD-së.
“E shoh të shqetësuar zotin Berisha, nuk i shpëton dot përgjegjësisë për 21 Janarin, ka qenë në krye në institucion kur ndodhi ngjarja. Problemet për zotin Berisha do vazhdojnë, ai ka qenë në krye në Kryeministri në kohën e 21 Janarit. E shoh të shqetësuar. Ka shumë gjëra. Te zoti Berisha ka mbetur te seanca paraprake për dosjen “Partizani’. Ai ka vendosur të sulmojë SPAK, duket qartë që ka gjëra të tjera, e ka shpallur organizatë kriminale”, vijon avokati.
Kurse eksperti Softa ndan mendimin se njerëzit janë lodhur me të njëjtët emra dhe njerëz që qarkullojnë dhe me drejtësinë e munguar në shumë raste, me çështje që mbyllen dhe rikthehen.
“Ka shumë çështje, shumë emra, shumë dosje. Në 30 vjet njerëzit janë lodhur, sepse janë përfolur emra të njëjtë, qarkullojnë, vetëm pushteti ndërron. Kemi pasur Rrugën e Kombit, Gërdecin, tani 21 Janari, ikën dhe rikthehet, zvarriten dhe humbet besimi. Njerëzit duan drejtësi, ai që ka shkelur ligjin të ndëshkohet apo që ka bërë korrupsion. Sigurisht që çështjet sot nuk pengojnë as Metën dhe as Berishën të kandidojnë. Metën e pengon vetëm momenti i betimit, nëse do jetë ende në izolim në momentin e betimit”, tha ai.
Në lidhje me çështjen e operacioneve dhe grupeve kriminale, si goditja e organizatës Çopja me sekuestrimin e 10 mln eurove në kripto, të dy të ftuarit dhanë mendimet e tyre.
“Janë monedha virtuale, jo fizike, nuk kalojnë në sistemin bankar dhe kjo vështirëson hetimin. Ndaj grupet kriminale përdorin kriptomonedha. Grupet terroriste përdorin kryesisht kriptomonedhat. Por tani ato po hyjnë edhe në tregun botëror, po i përdorin njerëz të njohur si Trump. Kurse goditja e organizatave dhe veçanërisht asaj në Elbasan ka ardhur si rrjedhojë e përgjimeve. Goditja në këto nivele tregon se strukturat hetimore kanë në objekt goditjeje këto grupe të organizuara, që kanë aftësi dhe mundësi për të operuar dhe korruptuar personat si në polici, prokurori dhe gjykatë. Kjo e bën më të fortë krimin dhe kemi goditje të financave të tyre. Por s’janë vetëm kriptomonedhat, por edhe ato fizike, si goditja e fundit me Italinë, ku linjat e transportit sillnin lumenj parash drejt Shqipërisë, me pastrim parash”, thotë eksperti për REPORT TV.
Kurse avokati Petraj e sheh të komplikuar çështjen, sepse nuk është e thjeshtë të hetosh apo sekuestrosh pasuritë, pasi ka një zinxhir të gjatë procedurash dhe veprimesh dokumentare.
“Ka një aneks ligjor që e lejon përdorimin e tyre. Kurse për operacionin e 10 mln euro në kripto është subjekt i hetimit të autoritetit të mbikëqyrjes financiare për pjesën e kapur. Kërkohet analizë për pjesën e sekuestros, për vendimet e GJKKO, bazuar te kërkesa e SPAK për pasurinë e Çopjave. Pra ka nevojë për analizë, nëse cila nga pjesët e pasurisë justifikohet dhe cila jo. Më tej ajo që nuk justifikohet të sekuestrohet. Pastrimi i parave është një proces i gjatë dhe i vështirë, nuk është i lehtë, duhen të gjitha të dhënat, është proces i thellë financiar”, shpjegon ai ndër të tjera./ S,M