Zgjedhjet e 11 Majit/ Vota e emigrantëve, përplasje e fortë PS-PD

Në qendër të debatit është propozimi i PD-së për të lejuar emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja identifikimi, një ide që socialistët e kanë kundërshtuar kategorikisht. Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka argumentuar se ky propozim do të dëmtonte rëndë integritetin e procesit zgjedhor. Sipas tij, mungesa e të dhënave digjitale në databazën shtetërore e bën të pamundur identifikimin e saktë të emigrantëve që nuk disponojnë dokumente shqiptare.

“Është krejtësisht absurde dhe e pamundur që një qytetar të votojë vetëm me një dokument të huaj. Për shembull, nëse një emigrant me një pasaportë belge apo kanadeze pretendon të votojë, por në databazën shqiptare nuk ka të dhëna digjitale që të provojnë se ai është i njëjtë me emrin në listën e votuesve, procesi bëhet i pasigurt. Kjo do të hapte dyert për manipulime dhe do të dëmtonte besimin në zgjedhje,” tha Klosi. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka quajtur qëndrimin e mazhorancës si një përpjekje për të bllokuar votën e diasporës, që sipas tyre do të sillte një ndryshim të madh në rezultatin e zgjedhjeve. Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, akuzoi socialistët se po i mohojnë të drejtën e votës qindra mijë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht atyre që nuk kanë dokumente biometrike shqiptare. “PS ka frikë nga vota e diasporës, sepse ajo votë nuk kontrollohet prej saj. Kjo është një përpjekje e pastër për të bllokuar një proces që do t’u jepte mundësi të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ku jetojnë, të votojnë. Ky qëndrim është një tjetër maskë e mazhorancës, që nuk dëshiron një proces gjithëpërfshirës,” deklaroi Bylykbashi. Megjithatë, vetë PD-ja ka pranuar vështirësitë teknike që has sistemi aktual i regjistrimit të votuesve nga jashtë, i njohur si PER. Bylykbashi tha se kufizimet ligjore e bëjnë të pamundur për momentin implementimin e propozimit të tyre. “Problemi qëndron tek ligji aktual. Sistemi PER nuk mund të realizojë procesin e identifikimit të emigrantëve pa dokumente shqiptare për shkak të kufizimeve ligjore. Nëse ligji do të lejonte përdorimin e dokumenteve të vlefshme të çdo shteti, atëherë teknologjia është gati për ta përballuar këtë proces,” shtoi Bylykbashi. Përtej kësaj, PD-ja ka bërë një hap pas edhe në lidhje me kërkesat për emigrantët që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Sipas Bylykbashit, ata që nuk janë më shtetas shqiptarë nuk mund të konsiderohen si zgjedhës dhe nuk kanë të drejtë të votojnë. Nga ana tjetër, për të mos përshkallëzuar përplasjet, PS-ja ka pranuar të mbështesë disa kërkesa të opozitës. Socialistët janë dakordësuar për përfshirjen e komisionerëve politikë në numërimin e votave të diasporës në KQZ, si dhe për zgjatjen e afateve të përgatitjes së listave të zgjedhësve, për t’u dhënë më shumë kohë emigrantëve të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Me gjithë këto përpjekje, procesi mbetet i tensionuar. Afati i fundit për regjistrimin e votuesve është deri më 4 mars, dhe përplasjet mes dy palëve rrezikojnë të lënë një numër të madh shqiptarësh jashtë procesit zgjedhor.

Lexo edhe :  Transporti publik u ikën bashkive, do administrohet nga shteti