Kjo fundjavë që lamë pas ka qenë e mbushur me aksidente. Sipas ekspertit rrugor, Islam Qibini, shkak janë bërë lëvizjet e shtuara dhe shpërfillja e rregullave të qarkullimit.
I ftuar në “Tirana Live”, ai ka theksuar se drejtuesit e automjeteve janë të pakujdesshëm, pasi nuk respektojnë sinjalistikën dhe përdorin alkoolin.
“Sigurisht që është një bilanc negativ që ndikon për sa i përket sigurisë rrugore, por duke ditur që është fundjave, sipas statistikave dhe evidencave të Policisë Rrugore dhe të INSTATIT, zakonisht aksidentet ndodhin në fundjavë, ditën e shtunë dhe të diel. Arsyeja është se është fundi i ditëve të punës, edhe njerëzit e ndjejnë veten pak më të lirë dhe disa përdorues rruge duke përdorur lokalet dhe pijet alkoolike, janë më të shkujdesur ndaj rregullave të qarkullimit rrugor”.
Më tej, eksperti shtoi se përveç gjobës, duhen marrë masa masa administrative për shkelësit që nuk respektojnë rregullat.
“Duhen parë disa norma të sjelljes, si për shembull te parakalimet e gabuara. Për shembull, masat administrative që merr policia, është 10 deri në 30 mijë lekë të vjetra. Kjo është një normë sjellje që krijon pasoja të rënda për jetën e qytetarëve, nëse një drejtues automjeti parakalon në mënyrë të gabuar, ose për shembull qarkullon mbi normat e lejuara të shpejtësisë. Parakalimet e gabuara, ose ecjet indietro ose mosmbajtja e krahut në kthesë janë disa lloj kundravajtjesh, të cilat patjetër për një kategori të caktuar drejtues mjetesh, sidomos moshat e reja, duhet dhe masa administrative përveç gjobës”./ kb