Koreshi dhe Agolli, pak fjalë për dy titanë të letrave shqipe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Kur ndahen nga jeta korifejtë e letërsisë-

 Nga Leonard Veizi

Vath Koreshi dhe Dritero Agolli nuk i bashkon veç fakti që ishin shkrimtarë, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë duke përfaqësuar të dy Partinë Socialiste. Ata i lidh përfundimisht edhe data 3 shkurt. Sepse pikërisht në një ditë të tillë fillim muaji kanë vdekur të dy. Fillimisht Vath Koreshi në vitit 2006 në një spital të Romës dhe 11 vite më pas në po të njëjtën datë të vitit 2017 ndahet nga jeta Dritëro Agolli në atë që quhet Spitali Universitar Shefqet Ndroqi, por që njihet si Sanatoriumi i Tiranës. Por Dritëro Agolli i kishte kaluar 85 vite nga jeta kur u largua për në amëshim, ndërsa Vath Koreshi donte edhe dy muaj të bënte 70 vjeç….

… Koreshi dhe Agolli janë dy nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e letërsisë moderne shqiptare. Secili prej tyre ka pasur një ndikim të veçantë, duke ofruar një pasuri temash, karakteresh dhe stilistikash që janë aq të rëndësishme për lexuesit shqiptarë.

Vath Koreshi

Pa dashur të ripërsëris veten, por duke dashur tw trasmetoj tw njwjtwn vlerw, në një shkrim të mëparshëm botuar në gazetën Fjala, me titullin “Universi i Vath Koreshit, letërsi në të gjitha dimensionet” kam shkruar këto fraza:

Lajmi për vdekjen e shkrimtarit rrugëtoi ethshëm nëpër linjën e detit, me një shpejtësi të skajshme, për të ardhur nga Roma në Tiranë vetëm për një të qindtën e sekondës. “Ndërroi jetë”. Pastaj shpërndarja e fjalëve në një gjysmë zëri ishte po aq e shpejtë për të ardhur tek secili nga ne me pasigurinë e një lajmi që në fakt nuk duhej të ishte i tillë. Një klithmë habie dhe pastaj heshtje… për ta marrë mbi vete masën e plotë të vërtetësisë se diku atje, në shtratin e një spitali të largët, të një toke të huaj,

Vath Koreshi nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm, të cilit qoftë prej mediokritetit apo mosthënies së asgjëje me vlerë në fushën e letrave, do t’i ishte harruar emri mes rreshtash, apo do t’ia kishte varrosur veprën një pluhur bodrumesh në bibliotekat e lagjeve. Por, në fakt, ai ishte Shkrimtar, me plot kuptimin e fjalës, dhe si i tillë as që mund të priste një prapashtesë mbështetëse, fjala vjen: i talentuar, i madh, i shquar, apo i jashtëzakonshëm…  Pse, tituj për Vathin ishin këta? Për Vathin që dukej hijerëndë e thuajse kozmik në pamje të parë, por që ishte aq i thjeshtë e njerëzor, nëse e njihje nga afër. Ai ishte shkrimtar, dhe kaq duhet për t’i pasur mbi vete të gjitha, titujt zyrtarë dhe ata verbalë.

Ka bërë letërsi në të gjitha dimensionet. Krijimtaria e Vath Koreshit është shumë e begatë, po të kemi parasysh tregimet, novelat, romanet, skenarët e filmave dhe dramat, të cilat ai i ka përshirë në të gjithë krijimtarinë. Në të gjallë të tij me shumë gjasa nuk do të pranonte ta cilësoje si të tillë, por në heshtjen e tij mbi tokë kemi të drejtë të themi se ai ishte ndër shkrimtarët elitë të prozës shqipe, për të mos shkuar më tej. Kritika është shprehur se si shkrimtar kishte ardhur gjithnjë në rritje, duke perfeksionuar mënyrën, këndin e vështrimit të realitetit dhe duke e rritur cilësinë artistike të prozës. Pas viteve ’90, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që nuk u shkëputën dot plotësisht nga realizmi socialist, ai krijoi vepra krejtësisht të tjera me konflikte të ashpra, me ide universale, me mesazhe njerëzore, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare.

Koreshi punoi si gazetar te “Zëri i Rinisë” dhe më pas, te “Drita”. Është autor i disa romaneve, novelave e vëllimeve me tregime si “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”, “Requiem për një grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Konomea”, “Një grua me të verdha”, “Rrugë për larg”. Ai gjithashtu është skenarist i së paku 20 filmave si “Liri a vdekje”, “Balada e Kurbinit”, “Syri Magjik”, “Dasma e Sakos”, “Besa e kuqe”, “Rrugë të bardha” etj. Ndërsa romani “Ulku dhe Uilli”, i cilësuar si një nga më të mirat e tij, është krahasuar nga kritika në lartësinë e veprave më të mëdha të letërsisë shqipe. Ndonëse në pak më shumë se 100 faqe, autori përmbledh me mjeshtëri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e fshehtë mes moralit fetar dhe fetar dhe mëkatit njerëzor.

Lexo edhe :  Tedi Blushi mbledhje me Flamur Nokën në selinë e PD, zbardhen detaje nga takimi

Dritero Agolli

E vështirë të shkruash në vazhdimësi për një shkrimtar si Dritëro Agolli. Ndaj edhe në këtë emër do të mjaftohem me pak rreshta të shkëoputur nga shkrimi me titull “Dritëro Agolli, i përjetshmi i letërsisë”, botuar po në gazetën Fjala:

Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk bie me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. Dhe titujt e çmimet për të nuk kanë munguar. Gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe, në lëvrimin e vargjeve poetike dhe në të shkruarin e prozës gjithashtu.

Dritëroi ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë.

Pas viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, – tanimë me një peshë të dyfishtë për atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, – hija e tij e rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke tymosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.

Me flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.

Sot në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria e tij është shumë më e gjerë se kaq.

Ai vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte, por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të pamjaftueshme.

Vite më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën, reportazhin dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe skenarin e filmit. Më i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar

Ndikimi

Ndikimi i Vath Koreshit dhe Dritero Agollit në jetën letrare shqiptare është i jashtëzakonshëm dhe i pandashëm nga zhvillimi i letërsisë moderne shqipe. Secili prej tyre ka pasur një ndikim të thellë, duke formësuar botëkuptimin e lexuesve dhe duke kontribuar në pasurimin e shprehjes letrare dhe të tematikës letrare. Të dy shkrimtarët kanë lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të ndikojë dhe të frymëzojë letërsinë dhe lexuesit shqiptarë.

Të fundit

Zgjedhjet parlamentare/ Kosova voton, pjesëmarrja 8.33 përqind deri në orën 11:00

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të...

Sot derbi Partizani-Tirana, ndeshja e 177-të dhe dominimi i kuq në kryeqytet

Tirana dhe Partizani do të përballen të dielën në “Arena e Demave”, në orën 13:30 në derbin e tretë të këtij sezoni, i cili...

Sherr me sende të forta mes disa personave, njëri prej tyre qëllon me armë zjarri

Një sherr mes disa personave ka ndodhur në Durrës, ku ka patur edhe të shtëna me armë zjarri. Policia thotë se për këtë ngjarja ka...

Mbi 100 vëzhgues të BE-së në Kosovë, Loiseau: Të përkushtuar të monitorojmë zgjedhjet

Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian ka deklaruar se me 104 vëzhgues të...

Punonjësi humbi jetën dje pasi ra nga lartësia, arrestohet pronari i banesës

Ditën e djeshme, një 66-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga lartësia. Policia e Tiranës sqaron se viktima ishte duke punuar në soletën e...

Lajme të tjera

Web TV