Nga Leonard Veizi
Atë që Gjesti i bëri shqiptarëve nuk ia ka bërë dot as UDB-ja, – një organizëm që kishte për detyrë të ndante e të shkatërronte, por që, me sa duket, nuk kishte imagjinatën e mjaftueshme për të krijuar një skenë kaq teatrale. Gjesti, me talentin e tij të pazakontë, arriti të ndante shqiptarët në dy fronte, duke na bërë të duket sikur kemi harruar që jemi i njëjti popull.
Gjesti me gjeste… apo gjestikulacione, se s’po e marrim vesh… E vështirë shqipja, me këto fjalët me dy kuptime, ose me një kuptim por me disa devijime.
Nuk guxon kush të prekë me gisht kosovarin e vetëm në shtëpinë me të famshme në Republikën e Shqipërisë se ata mbi kufirin verior ia japin pallmës: Po na e marrin në qafë djalin. Dhe hapin thesin duke na sharë ne shqiptarëve që kemi kryeqytet Tiranën me kuç e me maç, apo me libër shtëpie, merreni si të doni se çështje dialektesh është tek e fundit. Dhe ne, me librin e shtëpisë në dorë, mundohemi të kuptojmë se si një çështje dialektesh mund të shndërrohet në një krizë kombëtare.
Ore, në Shtëpi ishte dhe Gramozi, por s’bënte njeri kështu për të. Për Gjestin është gati të ngrihet një revoltë e tërë.
Po kush është ky Gjesti?
Ismail Kadare tek novela e njohur “Natë me hënë” që Edmond Budina e ngjiti në skenën e teatrit si regjisor, thotë për personazhin Mariana, një vajzë e bukur e plot hire, që sipas Sekretares së Partisë sillte vërdallë gjithë burrat e ndërmarrjes dhe ca gra të lëna gjithashtu.
-Të kishim qenë ndërmarrje kapitaliste do kisha menduar se na i kanë futur rivalët.
Edhe Gjesti kështu është si punë xholi, por që ata të Top-it e peshkuan vetë dhe nuk ua rrasi askush tjetër.
-Gjesti është fenomen, – na vjen mesazhi nga pas doganës së Morinit, pikërisht aty ku Gjestin e nxorën fishek përjashta nga një shtëpi po aq e famshme, por këtë herë në Prishtinë.
Padyshim që po. Fenomen është, ajror madje.
-Ajri, ajri. Vozdu, vozdu… – dublonin njëri-tjetrin marinarët shqiptarë e ata sovjetik të bazës së Vlorës tek filmi “Ballë për Ballë”, para se të mbyllej kapanxha qendrore e nëndetësja të zhytej në ujë.
Në këtë kontekst, Gjesti nuk është thjesht një personazh apo një figurë e izoluar, por një simbol i një realiteti më të gjerë shoqëror madje dhe politik. Ai përfaqëson një lloj force që ndan dhe bashkon njëkohësisht, duke krijuar tension dhe debat në mes të shqiptarëve.
-Qyqja, paskan mbet punët e vendit në dorën e Gjestit.
Dhe Gjesti, – që kur arrin të lidhi tre fjalë bashkë, se me dy fjalë ia del, na duket fitore, – ia ka dalë për bukuri të krijojë dy fronte shqiptarësh, aq sa kur lexova komentet, sidomos kur u tha se Gerta në dasmën e Jozit na e paskësh kishte larë vogëlushin me birrë e shampanjë në kokë, aq sa atij i kishte ikur shikimi prej alkoolit dhe e kishin çuar me urgjencë tek okulisti dhe kirurgu i bllokut operator, mendova se do plaste lufta. “Duhet me u bo gati”, thashë me vete,- “çfarë sjell ora nuk e sjell moti.” Si çun Tirone, – pra në qytetin pritës të jabanxhinjve në Shtëpi që po na vijnë edhe nga Evropa, – u ndjeva ngushtë për gafën e Gertës që i prishin ceremoninë edhe Loredanës, ndaj u mata t’i bëja telefonatë një mikut tim në Ministrinë e Mbrojtjes e ta pyesja se mos ndoshta vallë repartet tona të ushtrisë kishin kaluar në gatishmëri numër 1?!
Pastaj u zmbrapsa, sepse mendova që tek e fundit, presidentja Osmani i ka dy këshilltarë më mend që t’i pëshpëritin qetësisht në vesh: Nuk është e nevojshme të çojmë mjetet e blinduara e të rrethojmë Tiranën. Tek e fundit punë kalamajsh është.
Por, në fund të ditës, Gjesti është ai që fiton – sepse, ndërsa ne debatojmë, ai qëndron në qendër të skenës, duke u kënaqur me një buzëqeshje të pafajshme fëmije.
-E kemi thënë ne, po nuk e fitoi Big Brother-in e të çojë në Prishtinë 100 mijë euro me taksa të paguara në Tiranë, do ia fusi produksioni.
Ja, kjo është ideja e përgjithshme e komentuesve, që kënaqen e bien në harlisje kur vjen puna për paratë e supozuara që mund të marrë Gjesti.
Eh, ku përfundoi kjo punë. Lëmë çdo punë përgjysmë e merremi me thashethemet e një Shtëpie të monitoruar nga 100 kamera. E pastaj thonë se ne shqiptarët jemi punëtorë të mëdhenj. Padyshim që ia fusin kot. Shqiptarët e kanë mendjen tek tifozlliku, dhe duartrokasin o për Gjestin dhe Juventusin, o për Luizin dhe Barcelonën, ose për Eglën, Eglin dhe Maradonën bashkë me Madonën. Ç’ne ne tek kazma dhe lopata? Ne dihet për çfarë shquhemi. E thonë dhe vargjet:
-Ç’kërkoi Shqiptari ndër shekuj…./ Pak bukë, pak kripë e pak hekur.
Jemi në Big.
Dhe unë, ç’është e vërteta, e shoh me të njëjtin interes që e ndjek dhe Neda me Arbrin, por pa pasur pretendimin të bëhem analist në poltron. Më mjafton karrigia e gazetarit. Dhe për djall, edhe pse zotohem që nuk do shkruaj për “cingërima” sërish motivohem për t’i zhgrapur ca fjalë.
Në BBV-4 – akronimi i Big Brother VIP-4 – sherret janë të shumta. Ditën dhe natën. S’ka ndalim. Se eksperimenteve sociale fillimi u duhet, kur të gjithë bëjnë si të lumtur, se fundin nuk e sheh njeri siç ndodhi me Nostroadamusin apo Baba Vangën.
Një ditë në shtëpinë më të famshme të Republikës së Shqipërisë plasi debati dhe u hodh mesazhi se janë gjëra që ngjasin ngaqë disa prej vajzave u kishin ardhur tezet.
Mrekulli, le të futen brenda të shkretat, mos rrinë pas dere. Se helbete rrugë e largët.
-Po hallat?
Pyetja ngrin, siç ngrijnë banorët kur nga altoparlantët lëshohet thirrja: “Ngriva”. “Më ka ngrirë Ledioni” thoshte njona që i kishin ardhur “tezet” bashkë me mamanë aty në mes të shtëpisë.
Meqë ra fjala, si vajti puna me pyetjen për hallat? Se gjithmonë fisi i babait nëpërkëmbet, Ato të nënës dalin gjithmonë në krye të listës.
Ohu, çfarë themi ne e çfarë thotë ky. Është fjala për “ato” robo. Kupton apo hiç?
Të vdesësh gazit në këtë Big Brother.
Po flisni moj çupani, ne jemi dhe shoqëri e emancipuar, apo që po emancipohemi dita-ditës. Thashë mos ishte ndonjë ilet i mendjes.
-E, shtu pandyem ç’është e vërteta. Se sa për t’u nxehur nxehem dhe unë. Dhe kur nxehem unë i thyej të tëra, me pjata e me filxhana. Jo po të mos më bëjë mua nga ato!
Mirë femrave, por mos u vijnë gjë dhe çunave “ato” tezet?
-Tobekstrakfrullah!
-Fol me ndonjë student të mjekësisë, – i shfrynte Monda tek “Dimri i Vetmisë së madhe” djaloshit me emrin Ben, që mendonte se ajo kishte mbetur shtatzënë. Se një student mjekësie mund të të ndriçojë aq sa të kuptosh se jo në të gjitha rastet kur të vonohen “ato”, ke mbetur me barrë.
“Vajzat e shtëpisë” – të cilat, me tezat e tyre që “u erdhën” si një stuhi e papritur, – na kujtojnë se jeta në Big Brother nuk është thjesht një lojë, por një laborator shoqëror ku çdo gjë, nga emocionet deri te hormonet, është nën mikroskop. Dhe, ndërsa ne të tjerët po pyesim veten nëse tezat janë një fenomen biologjik apo një strategji e sofistikuar për të fituar simpatinë e publikut, ato vazhdojnë të luftojnë me një realitet ku asgjë nuk është private – as edhe ato që duhet të jenë. Ironia? Në fund të ditës, ne të gjithë po i ndjekim me interes, sikur të ishte një serial dramatik, duke harruar se jeta e tyre reale është duke u zhvilluar para syve tanë, pa asnjë “pausë” për të marrë frymë.
Debatet thellohen në Big. Me zë të lartë e agresivitet.
Gojët e liga thonë se kur bie ritmi i debateve në lojë futet produksioni. Dhe e bën lëmshin akoma më lëmsh. Megjithatë motori nis të punojë.
Ore për çfarë keni ardhur këtu? Mos mendoni se është Kampi i Pushimeve Dimërore? Si ai hoteli i Stefan Kingut ku interpretonte Xhek Nikolson?
-Ore për budallenj na merrni ne?, – i vuri me shpatulla për muri Shemshedini djemtë e grupit agjitator, tek filmi dhe romani i Teodor Laços “Përballimi”. – Demek, sikur s’e dimë ne që gjithçka bëhet për klikime.
Dhe sherret në Big Brother vazhdojnë. Gjesti sillet vërdallë si një kukull e kurdisur. Por në krye të tyre është Xhibani.