Në kërkim për drogë, vjedhje e plagosje, katër të arrestuar në Tiranë

Katër shtetas janë arrestuar nga policia, në vijimësi të operacionit të koduar “Catxh”. Njëri prej të arrestuarve, ishte në kërkim në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Blic 34”.

Në reagimin zyrtar të policisë, sqarohet:

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Blic 34”, kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim M. B., 25 vjeç. Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

-Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim Q. K., 49 vjeç. Atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 5 muaj burgim, nga dënimi për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, dhënë nga Gjykata e Vlorës.

-Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim E. G., 22 vjeç. Gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë shtetas, me 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

-Komisariati i Policisë Nr. 4 kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim A. H., 52 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./k.k