Pas një muaji agjërimi, lutjeje dhe adhurimi, besimtarët muslimanë në qytetin e Beratit kanë kremtuar sot Fiter Bajramin, një festë që simbolizon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe mirënjohjen për mundin dhe sakrificat e bëra gjatë këtij periudhe.
Kremtimi i kësaj dite të shenjtë nisi herët në mëngjes, në orën 06:10, me faljen e namazit të Fitër Bajramit. Me mijëra besimtarë morën pjesë duke u bashkuar në pedonalen kryesore të qytetit të Beratit për të kryer ritet e faljes, duke u lutur për më shumë paqe, mbarësi dhe begati për veten, familjet e tyre dhe për gjithë botën.
Ritet e faljes u udhëhoqën nga myftiu i qytetit të Beratit, Bilbil Talla, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe sakrificës që besimtarët bënë gjatë muajit të Ramazanit.
Ai e shprehu falënderimin për besimtarët, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të jetojnë me virtyte dhe të mos harrojnë shpërblimin e madh që ata kanë arritur gjatë agjërimit dhe lutjeve të këtij muaji të shenjtë.
Fiter Bajrami, si çdo vit, ka sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe festë mes komunitetit musliman në Berat, duke i bashkuar ata në lutje dhe gëzim, duke forcuar më tej lidhjet shpirtërore dhe sociale mes njerëzve.
Ndërkohë, pas muajit të shenjtë të Ramazanit edhe në Korçë qindra besimtarë myslimanë u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit.
Ceremonia ka nisur rreth orës 07:30 minuta në sheshin e xhamisë Iljas Bej Mirahori. Riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët. Gjithashtu edhe besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati në familjet e tyre./ S,M