Shpëtim Luku
Sali Berisha në fund të këtij mandati deputeti që pritet të marrë mbush 85 vjeç. E ka nisur karrierën parlamentare në vitin 1992 dhe në përfundim të këtij mandati do të bëjë plot 37 vite deputet. Po aq do të bëjë edhe Tritan Shehu, i cili në fund të mandatit do të jetë rreth 80 vjeç. Jo keq me karrierën në Kuvend është edhe Dash Shehi, i cili ka një jetë në këtë institucion të lartë dhe në vitin 2029 do jetë mbi 72 vjeç.
Jozefinës iu bë një “padrejtësi”. Bëri pak pushim nga aktiviteti parlamentar, por në zgjedhjet e 11 majit paraqitet si “risi” e listës së PD-së. Po kështu Nard Ndoka.
Edhe Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo kryetari i Partisë së Lirisë(ish LSI)Ilir Meta bëjnë pjesë tek grupi deputetëve të përjetshëm, të cilët, edhe pse në listë të hapur tashmë, nuk duan të dorëzohen, të dorëhiqen nga gara. Përkundrazi, do të luftojnë fort për të marrë një mandat deputeti, të cilin aq shumë e dëshirojnë. Madje edhe “i riu” Edi Rama në vitin 2029 mbush moshën për të marrë librezën e pensionit.
Ka edhe shumë tjerë nga ata që të kujtojnë një ekspozitë të gjallë të një epoke që nuk përfundon kurrë. Të një epoke tranzicioni që filloi në vitin 1992 dhe që ka zgjatur pambarimisht.
Dëshira e kësaj kategorie deputetësh për të mos ju hapur rrugë të tjerëve, sidomos të rinjve është e dallueshne në mënyrë të qartë dhe konfirmuar shumë e shumë herë.
Kurioziteti lidhet vetëm me arsyet që bëjnë këtë kategori personash të mos i shqiten karriges së Parlamentit. Është “sakrificë” e tyre, është dëshirë për shërbesë publike është dashuri për këtë profesion apo janë shkaqe të tjera?
Thonë se pushteti është varësi dhe se nëse e ke provuar njëherë atë të duket e pamundur të jetosh pa të. Pushteti kthehet kështu në një drogë nga e cila nuk mund të hiqet dorë kollaj.
Nga ana tjetër, pushteti sjell përfitime të mëdha. Rrogat e larta, privilegjet, makinat luksoze, trajtimi si VIP dhe sidomos mundësia për të ndikuar në vendime ekonomike e financiare janë arsye të forta për të mos u larguar.
Një shkak tjetër mund të jetë harresa. Pasi statusi i njeriut të pushtetshëm drejton rreth teje prozhektorët e vëmëndjes publike. Mirëpo nëse ky shkak eleminohet, atëhere shumë ish deputetë e politikanë nuk kanë ndonjë profesion tjetër dhe pa politikën do të mbeteshin në hije. Sikurse edhe e ka treguar realiteti. Shumë nga ish deputetët shqiptar, të cilët janë futur nëpër lista sërish, gjatë kohës së “pushimit” ishin njerëz të harruar, që nuk u morën me asnjë punë tjetër. Përveç mprehjes së vigjilencës dhe “investimit militantesk” për të përgatitur mandatin e radhës. Sepse vetëm deputetllëku i mban në qendër të vëmendjes dhe në lojë.
Kur dikush ka kaluar 30-40 vite në politikë, ai nuk di të bëjë asgjë tjetër. Të dalësh jashtë sistemit do të thotë të fillosh nga zero. E tha këtë gjatë këtyre ditëve në një intervistë Dashamir Shehi kur i pyet për kohën e gjatë në politikë. Tani ne nuk dimë të bëjmë gjë tjetër, tha ai.
Një arsye e fortë është mbrojtja e interesave personale Shumë prej tyre kanë ndërtuar lidhje ekonomike e financiare që varen nga pushteti. Nëse largohen, rrezikojnë humbje të mëdha ose edhe ndjekje ligjore.
Por edhe nëse dikush në ndonjë çast reflektimi apo dobësie vendos të thotë “mjaft” ai e ka shumë të vështirë t’a bëjë realitet këtë dorëheqje. Sepse kundër këtij reflektimi e vendimi do t’i kundërvihet rrjeti i njerëzve që përfiton prej tij. Ata që kanë interesa të përbashkëta do të bëjnë çmos ta mbajnë të lidhur.
Kur shikon se si listat e mbyllura të partive, sidomos asaj të opozitës, janë aq të kalçifikuara me “deputetë të përjetshëm”, kur shikon që në listat e tyre janë persona pa vota dhe ndikim elektoral, kur shikon se si edhe po nuk qe një legjislaturë deputet, mund të bëhesh në të ardhmen, përpiqesh të kuptosh shkakun e këtij anormaliteti. Por nuk ka nevojë për ndonjë analizë të detajuar përderisa sistemi i përzgjedhjes së kandidatëve është i kapur dhe rinovimi është i pamundur. Të njëjtët njerëz do të riciklohen gjithmonë.