David Selenicasi, kryemjeshtri i ikonografisë që përdori artin si mjet rezistence dhe…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ai është i shquar me artin e tij po aq sa dhe Onufri i famshëm. Dhe ndoshta po aq sa Onufri e kuqja e tij rrëzëllente nëpër muralet e kishave të Jugut të Shqipërisë. Dhe quhej David…

… Shekulli XVIII ishte një epokë transformimesh të thella politike dhe kulturore në Ballkanin. E në këtë kohë arti kishtar ortodoks shqiptar shënoi një lulëzim të veçantë me veprimtarinë e disa mjeshtërve të mëdhenj. Ndër ta, David Selenicasi mbetet figura më përfaqësuese e ikonografisë shqiptare të asaj kohe. I edukuar në traditën bizantine, por i hapur ndaj ndikimeve të reja nga Perëndimi, ai krijoi një stil personal që e bëri artin e tij të dallueshëm dhe të pavdekshëm.

“David Selenica, gjeniu i ikonografisë shqiptare dhe i 1000 afreskeve” është një shkrim i botuar nga studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo Në vlerësimin e tij Moikom Zeqo shkruan: “Davidi është një piktor i përmasave të mëdha. Ai ka pikturuar afro 1000 afreske me një fuqi artistike të jashtëzakonshme. Nëse Onufri është një gjeni dhe patriark i artit ikonografik shqiptar, që zë kreun e vendit në artin e vendit tonë, Davidi është gjithashtu një gjeni dhe një kryemjeshtër i dytë i madh i ikonografisë”.

Por ikonografi i shquar mbetet i vlerësuar edhe në botimet shkencore të Theofan Popës si në rastin e vëllimit “Piktorët mesjetarë shqiptarë”, në të cilin përmblidhen piktorët ikonografë si David Selenica, Kostandin Shpataraku, piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi

Ndërkohë një botim serioz është edhe ai i Dr. Ahilino Palushit i monografisë “David Selenicasi – piktor i rilindjes pasbizantine né Shqipëri”

Origjina

Mbetet e paqarte origjina e ikonografit të njohur pasi pretendimet janë që David Selenicasi të jetë nga Selenica e Vlorës ose nga Selenica e Kolonjës. Por ndoshta kjo nuk ka aq shumë rëndësi. Dhe nëse nuk dihet vendlindja e tij po aq nuk njihet edhe vendvdekja.

Sipas Moikom Zeqos studiuesi M.B.Sakellorion në librin e tij botuar në 1983 bëri një zbulim unikal. Ky studiues shënon se Narteksi me emrin Virgjeresha Kukuzelike në malin Athos është plot me piktura me cilësi shume të larta, ku ka dhe një mbishkrim që thotë se autori është “Davidi nga Vlora” Mbishkrimi mban datën 1715. Moikom Zeqo shkruan se është pikërisht M.B.Sakellarioni, që bën identifikimin stilistik dhe morfologjik të piktorit David nga Vlora me piktorin David të Shën Kollit të Voskopojës. Dhe kështu sipas tij Enigma e origjinës së Davidit u zgjidh përfundimisht.

Filmi

Gjithsesi, për t’i bërë një jehonë më të madhe punës së tij Kinostudio Shqipëria e Re në vitin 1983 prodhoi filmin “Kohë e Largët” me regjisor Spartak Pecanin dhe skenar nga Sotir Andoni, ku aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa portretizoi figurën e David Selenicasit por nën emrin artistik Andrea Shelca. Gjithçka u bazua në novelën e Sotir Andonit “David Selenicasi”.

Novela

Ja çfarë shkruan Sotit Andoni në tregimin e tij ku epitropi i bazilikës së Shënkollit, Bane Lica i dërgonte një raport Hirësisë së tij, peshkopit të Ohrit, Emanuel, e mes të tjerash e informonte:

“Hirësisë së tij, peshkopit të Ohrit, Emanuel, nga Bane Lica, i përvuajturi shërbëtor i kishës dhe juaji… Vë në dijeni të shenjtërisë suaj, se i quajturi David Selenicasi, zograf me rrënjë prej Selenicës së Kolonjës, ka ardhur ndë Voskopojë nga shkolla e Evropës, pasi është bërë atje farmason dhe katholik. Në punën e tij përdor bojën e kuqe të fortë, rreptësisht e ndaluar.

Fytyrën e shën Marisë e zografisi sipas fytyrës së një çupe prej qytetit tonë, pas së cilës është agapisur. Por… kur e teproi me penelata mbi kraharorin e Shën Marisë, sa s’më hipën në kurriz malet e Bodesë! S’u përmbajta dot dhe i thashë: “Shën Maria nuk ka qenë mendeshë”. Por ai m’u përgjigj me cinizëm dhe me inat e më tha: “Shën Maria nuk e ka ushqyer Krishtin me memelige, por me sisë”.

Konteksti historik

David Selenicasi veproi në një periudhë kur Perandoria Osmane kishte lejuar një farë autonomie në çështjet kishtare dhe kulturore të popullsisë ortodokse. Kishat e Shqipërisë së Jugut, veçanërisht në zonat e Korçës, Kolonjës, Vithkuqit dhe Myzeqesë, u kthyen në qendra të rëndësishme të artit dhe arsimit. Brenda këtij mjedisi, me mbështetjen e komuniteteve të pasura tregtare e klerit të kultivuar, lulëzoi një brez ikonografësh që u quajtën shpesh “piktorët popullorë të jugut”.  Megjithëse mungojnë dokumente të detajuara për formimin e tij, besohet se David Selenicasi u stërvit në një nga qendrat e ikonografisë në Athos ose Voskopojë, ku ndikimi i artit barok dhe rokoko perëndimor po depërtonte përmes librave dhe gravurave të importuara nga Europa. Ai e përshtati këtë ndikim në mënyrë origjinale, pa hequr dorë nga skemat kompozicionale të traditës lindore.

Lexo edhe :  5 ditë punë, 2 ditë pushim? Çfarë të bëni që të mos jetoni duke pritur fundjavën

Stili dhe simbolika

Stili i Davidit dallon për ngjyra të pasura, ndriçim të theksuar në fytyrat e shenjtorëve, dhe lëvizje të qetë, por ekspresive të trupave. Ai shmang skemat e ftohta dhe statike të ikonave më të vjetra, dhe i jep një ndjeshmëri njerëzore figurave të shenjta. Në punimet e tij vërehet përdorimi i hijëzimeve për të krijuar thellësi, si dhe përpjekja për një perspektivë më natyraliste.

Në ikonat e tij, Krishti dhe Hyjlindësja shpesh shfaqen me një shikim të butë, por depërtues, ndërsa shenjtorët paraqiten jo si figura të largëta hyjnore, por si pranues të dhimbjes dhe forcës njerëzore. Kjo qasje e bën artin e tij të afërt me shpirtin popullor.

Veprat kryesore

Një nga punët më të rëndësishme të Davidit është ikonostasi i Kishës së Shën Kollit në Vithkuq, i përfunduar në vitin 1722. Kjo kishë përfaqëson një kryevepër të bashkëpunimit midis mjeshtërve të gdhendjes në dru dhe ikonografëve. Në këtë ikonostas, ai nënshkruan një nga ikonat me fjalët: “Piktor i pavlefshëm David nga Selenica më 1722”, një pohim modestie që thekson përulësinë përpara detyrës shpirtërore të artit. Veprat e tij gjenden gjithashtu në Manastirin e Ardenicës, ku bashkëpunoi me piktorë të tjerë si Kostandin dhe Kristo nga Korça. Po ashtu, gjurmë të stilit të tij janë ruajtur në kisha të Beratit, Voskopojës dhe Myzeqesë, duke dëshmuar për një veprimtari të gjerë dhe të organizuar.

Studiuesi Andrea Llukani në veprën e tij “Arti kishtar në Shqipëri” shkruan: Tematika e afreskeve të pikturuara nga David Selenicasi është marrë kryesisht nga Dhiata e Re, por përveç skenave kryesore, si p.sh. “Lindja e Krishtit”, “Pagëzimi”, “Ngjallja” ose “Lindja e Shën Mërisë” “Ungjillëzimi”, “Fjetja e Shën Mërisë” etj, ikonografi ka pikturuar edhe skena të rralla të marra nga tradita e kishës, ndër të cilat mund të veçojmë: “Këshilltar i mrekullueshëm” në të cilën paraqitet Krishti me fletë si engjëll, piktura murale “Therja e foshnjave në Betlehem”, skena e “Ungjillorit Lluka duke pikturuar ikonën e parë të Shën Mërisë” etj.

Trashëgimia dhe ndikimi

David Selenicasi themeloi një linjë ikonografësh, ku përfshihen nxënës dhe ndjekës të stilit të tij, të cilët vazhduan veprimtarinë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Stili i tij ndikoi në formimin e asaj që njihet si shkolla ikonografike e Korçës, një nga qendrat më të rëndësishme të artit kishtar në Ballkan. Trashëgimia e tij është jo vetëm artistike, por edhe shpirtërore dhe kombëtare. Ai arriti të ruajë identitetin ortodoks shqiptar në një periudhë presionesh të mëdha kulturore dhe fetare, duke përdorur artin si mjet rezistence dhe përkatësie.

David Selenicasi mbetet një prej figurave më të ndritura të trashëgimisë sonë kulturore – një artist që e kuptoi thelbin e besimit dhe ia dha atij formë, ngjyrë dhe jetë. Në veprat e tij nuk ka thjesht pikturë, por një thirrje e heshtur drejt hyjnores që vazhdon të kumbojë në altaret tona edhe sot.

Epilogu

Rrethanat e vdekjes së David Selenicasit mbeten të paqarta dhe nuk janë të dokumentuara në mënyrë të detajuar në burimet historike. Kjo është për shkak të mungesës së të dhënave arkivore të ruajtura nga periudha në të cilën ai jetoi dhe veproi. Hipotezat historike sugjerojnë se ai mund të ketë vdekur në mënyrë natyrale në trevën ku veproi, diku në zonën e Korçës, Kolonjës ose Myzeqesë, pasi nuk ka dëshmi për ndonjë përndjekje apo rrethanë tragjike.

Në filmin “Kohë e Largët”, i cili pavarësisht kontekstit historik mbetet një vepër artistike, asketi Lithan, – përndryshe nga tregimi, – helmoi piktorin që peshkopit të Ohrit, e kishte çuar me “syrgjyn” të pikturonte në një kishë që ndodhej në ishullin e Liqenit të Prespës.

Të fundit

U pezullua për shpërdorim detyre, Gjykata e Tiranës heq masën ndaj drejtorit të AMP-së

Gjykata e Tiranës vendosi të heqë masën e pezullimit nga detyra të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqytjes Policore, Florian...

Vetëm 100 euro gjendje, zbulohet pasuria e Papës në llogari

Teksa sot u mbajt ceremonia e lamtumirës për Papa Françeskun në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, mediat e huaja kanë zbuluar edhe pasurinë që...

Gjermania u ofron sirianëve deri në 4.500 euro për t’u kthyer në vendin e tyre

Gjermania po ofron deri në 4.000 euro për familje për të inkurajuar sirianët të kthehen në atdheun e tyre, me më shumë se 460...

Gjesti me Lamborghini pas BBV, menaxherja e VIP-ave: Bie ndesh me çfarë shfaqi në shtëpi…

Eftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Rea Shena, menaxhere artistësh dhe rekrutuese talentesh. Ajo ka diskutuar më shumë se sa...

Finalja e Kupës së Mbretit, Reali për të shpëtuar sezonin apo Barcelona për tripletën

Finalja e Kupës së Mbretit në “La Cartuja” në Sevilje (sonte 22:00) do të vërë në provë treshen e parë të Barçës dhe atë...

Lajme të tjera

Web TV