Detaje të tjera janë zbuluar nga vrasja e Renato Hoxhajt, mbrëmjen e 27 prillit në Vlorë, i cili u ekzekutua pranë banesës së tij.
Policia e Vlorës ka dalë në përfundimin se Hoxhaj është qëlluar nga dy armë të ndryshme, kjo pasi, pas këqyrjes së trupit të viktimës, janë gjetur predha të ndryshme të qitura nga arma e zjarrit.
Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip “Range Rover” që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë.
Grupi hetimor bën me dije se po vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, ndërsa dyshohet se vrasja është urdhëruar nga një grup kriminal.
Kujtojmë se Renato Hoxhaj 58 vjeç u qëllua për vdekje me armë zjarri në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin e krimit i cili ishte i maskuar me kapele dhe shall duke vështirësuar identifikimin e tij. Autori qëlloi 4 plumba drejt Renato Hoxhajt, dy të cilat e kapën në trup.
Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Viktima ishte shprehur me familjarët se e kërcënonin për shtëpinë me qëllim që aty të ndërtohej një pallat, por Hoxhaj nuk kishte pranuar./E.S