Fushata mbaroi! Këto janë notat e “Fjala.al” për 30 ditët e partive politike

Sot jemi në heshtje zgjedhore dhe partitë politike sipas ligjit nuk mund të bëjnë asnjë thirrje politike. Nesër, 11 maj, shqiptarët do të vendosin se kush do ta qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme. “Fjala.al” më poshtë jep një vlerësim me nota për fushatën e partive:

RAMA – I lejoi vetes ta nisë fushatën me gabime. Fjala “çyryk” për meshkujt shqiptarë mund të ketë impakt në votë, ashtu si edhe një fjali në nxitim e sipër për autikët. Gjithsesi, kryeministri rikuperoi shpejt dhe u bë personazhi më i klikuar gjatë 30 ditëve të fundit. E çuditshme, sepse duhej të ndoshte e kundërta pas 12 vitesh në pushtet. Është fakt që Rama nuk ka asnjë shenjë konsumimi në komunikimin publik. Ai u shfaq tepër rinor gjatë fushatës, aq sa edhe këndoi me Noizy në Vlorë. Mbetet politikani më kreativ në Shqipëri, sidomos me videot e “Bufit” në rrjetet sociale duke sulmuar Berishën. Mitingu i tij i fundit në Tiranë prodhoi plot lajme, por nuk ishte aq masiv sa i zgjedhjeve të mëparshme. Nota: 9

BERISHA – LaCivita duket se e ka këshilluar të mos ofendonte dhe të mos ishte agresiv gjatë fushatës. Në katër javë u pa një Berishë i pazakontë. Kryedemokrati foli kryesisht për programin dhe bëri premtime të guximshme. Thuajse çdo ditë ai premtoi rritje pensionesh dhe pagash, duke u fokusuar krejtësisht tek ekonomia. Përtej mitingjeve me pjesëmarrje të lartë (me përjashtime si Fieri, ku dështoi), Berisha dhe ekipi i tij nuk shfaqën ndonjë risi gjatë fushatës. Madje, gabimi i tij më i madh është se e personalizoi fushatën, duke dalë praktikisht vetëm. Ai nuk ndoqi strategjinë e vitit 2005, duke u shfaqur si ansambël bashkë me figura të tjera politike. Duket sikur përçoi mesazhin “votat e PD i marr vetëm unë”. Gabim, sepse rrotacioni nuk vjen vetëm me vota të militantëve. Duhen edhe votat gri, të cilat Berisha vështirë se i merr me këtë lloj fushate individuale. Nota: 7,5

LAPAJ – Si parti e re, ai befasoi me mitingjet në qarqe të ndryshme në Shqipëri. U përqendrua te takimet masive në terren, kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Vlorë, Korçë dhe Lezhë. Nuk u shfaq dukshëm në rrjetet sociale sa në fillimin e rrugëtimit të tij politik (2023-2024) dhe, madje, nuk dha shumë intervista televizive. Ndryshe nga të gjitha partitë e tjera të vogla (KEA, LB, PM dhe PSD), mitingun e fundit zgjodhi ta bënte në bulevard dhe jo në ambiente të mbyllura, si për të treguar se ka shumë ndjekës. Goditi me disa video direkte kundër Ramës dhe guxoi me bastin e tij personal: Shqipëria shkon në zgjedhje të dyta. Sipas tij, asnjë parti nuk do të fitojë dot 71 mandate më 11 maj dhe ky mesazh u përçua kudo. Nota: 7.0

Lexo edhe :  Alizoti: Ju tregoj mënyrën si rrëzohet qeveria

SHEHAJ – Mbreti i rrjeteve sociale. Detajist dhe kreativ me ekipin e tij. Investoi shumë për vizibilitet maksimal në botën online, edhe pse kjo ka rrezik që të mos përkthehet në votë, sepse u shfaq më shumë si influencer sesa politikan. Ishte i vetmi që përdori bashkëshorten gjatë fushatës, e cila u bë virale për 48 orë. Shehaj nuk u fokusua edhe aq shumë te programi dhe thuajse nuk bëri asnjë premtim elektoral, por theksoi se do të jetë i pakorruptuar. Takimet e tij nuk ishin shumë masive, por të kuruara mirë. Mitingu i tij më mbresëlënës ka qenë ai para fushatës, në Brescia të Italisë. Mori strategjikisht më shumë vëmendje se rivalët e tij “brenda llojit”, por mund të penalizohet nga fakti që kohët e fundit më shumë sulmoi partitë e reja sesa dy partitë tradicionale. Nota: 7.0

QORI – Krahasuar me muajt e mëparshëm, ritmi i tij ra. Takimet në sheshe ishin të vakëta për numrin e qytetarëve. Qori dhe “Lëvizja Bashkë” janë gjithmonë modestë dhe nuk zgjedhin bujën, por në TikTok gjithmonë shfaqen me video të guximshme e me shikueshmëri të lartë. Duket sikur këto 30 ditë e ulën ritmin dhe nuk fituan vëmendje. Janë më të zëshëm kur protestojnë sesa kur shpalosin programe. Qori mbetet stoik i mendimeve të tij, të cilat ia ka dalë t’i përçojë në publik. Nuk u dallua për gafa apo gabime. Nota: 6,0