Mësuesja në pension, Monda Turshinka, ka deklaruar për mediat se është sharë, ofenduar dhe dhunuar nga Luan Tollozhina, një prej simpatizantëve të njohur të Partisë Demokratike në qytetin e Pogradecit.
Tollozhina është gjithashtu personi që më herët dhunoi një komisioner të Partisë Socialiste brenda qendrës së votimit.
“Jam 73-vjeçe, votova normalisht. Më pas mora burrin dhe e solla këtu, se e kam të shtrirë në krevat. Më kapi Luan Tollozhina për gryke dhe më tha fjalët e fundit, që s’ka bir nëne t’i thotë.
Të më dhunojë dhe të më thotë mua je komuniste dhe rrugaçe në këtë moshë. Unë isha këtu jashtë dhe prisja, ai bën ligjin këtu”, është shprehur Turshinka për gazetarët.
Ndërkohë, Luan Tollozhina është shoqëruar nga policia në komisariatin e Pogradecit për të dhënë sqarime në lidhje me akuzat për dhunë ndaj mësueses në pension dhe për një tjetër incident të ndodhur më herët gjatë ditës, ku dyshohet se ka qëlluar me grusht komisionerin e Partisë Socialiste, Entin Gega, brenda qendrës së votimit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për rastin, ndërsa pritet që prokuroria të vlerësojë të dhënat për të nisur veprimet përkatëse ligjore./e.t